Italia zbriti mbrëmjen e djeshme në fushë për një sfidë miqësore ndaj Moldavisë. Kombëtarja moldave drejtohet nga ish-drejtori turk i Vllaznisë, Engin Firat, i cili pas sfidës ishte tejet i zhgënjyer duke qenë se të tijtë pësuan gjashtë gola nga axurrët. Firat theksoi se diçka e tillë nuk i kishte ndodhur asnjëherë më parë.

“Të them të vërtetën jam shumë i zhgënjyer. Është humbja më e madhe në lidhje me numrin e golave, duke pasur në mendje edhe ndeshjen me Francën. E dinim që kualiteti ishte shumë i lartë.

Nëse një futbollist nuk është në më të mirën e tij, atëherë kemi probleme. Por, nëse më pas bëhen dy futbollistë që nuk janë në ditën e tyre të mirë, atëherë kemi probleme shumë të mëdha.

Duhet t’i kërkoj falje tifozëve të kombëtares, nuk më kishte ndodhur kurrë në jetë. Tani duhet të përgatitemi për ndeshjen e radhës ndaj Greqisë.

Duhet të mësojmë dhe përgatitemi për ndeshjen e radhës. Nuk mund të jem shumë i ashpër me futbollistët, duhet t’i motivoj”, u shpreh Firat. /VipSport/