Elmir Lekaj, që mbylli sezonin me ekipin e Ulpijanës në Kosovë tashmë e ka mbyllur bashkëpunimin me këtë skuadër. Ulpijana u rrëzua nga kategoria superiore në Kosovë dhe prandaj nuk duket më një opsion interesant për karrierën e mbrojtësit.
Megjithatë tashmë si një lojtar i lirë në treg dhe në një moshë akom të re interesi për Lekajn nuk mungon. “Shkodra Sport” mëson se skuadra e Egnatias që shfaqi interes për të në janar, ka ende pëlqim për 22-vjeçarin.
Gjithashtu edhe Erzeni, por edhe Bylis kanë shprehur interes për Lekajn që aktivizohet si mbrojtës i djathtë e po ashtu në qendër. Kontakte ka pasur edhe nga disa klube në Superligën e Kosovës, por duket se Lekaj preferon Shqipërinë.
Mbrojtësi është rritur dhe formuar tek akademia Vllaznia. Madje ai ka luajtur edhe në elitën e futbollit shqiptar me fanellën kuqeblu. Jashtë vendit ai ka pasur një eksperiencë në Maltë me Ajax Rabbat e ndërsa në Kosovë përveç Ulpijanës, ai është aktivizuar edhe me Arbërinë. Tashmë me merkaton që ndizet nga dita në ditë, një lëvizje e re duket në horizont për karrierën e Lekajt.
Endri ÇINARI