Talentet e Akademisë “Vllaznia” po e provojnë fatin e tyre jo vetëm në ekipet e kategorisë së Parë dhe të Superiores, por edhe jashtë vendit. Një prej tyre është edhe Akile Ndreca, i grumbulluar edhe me ekipin e parë të Vllaznisë në sezonin e shkuar.
Ndreca u largua nga kuqeblutë pa u mbyllur mirë sezoni dhe karrierën me shumë gjasa do ta zhvillojë në Itali, në Seria D, me skuadrën e “Calcio Montebelluna”.
Në një prononcim për “Vipsport”, Ndreca tregon eksperiencën italiane. “Janë një skuadër që i janë prioritet të rinjve. Unë kam më shumë se një muaj që punoj në këtë ekip, jam ambientuar mjaft mirë dhe shpresoj që të jetë një eksperiencë e suksesshme”.
Më pas, talenti shkodran ka shtuar se: “Unë dua që t’i ngjaj Dritan Smajlit për nga grinta. Vërtetë Smajli luante si mbrojtës ofensivë, ndërsa unë në sulm, por grinta e tij duhet që të jetë një shembull për mua, por edhe për çdo të ri. Mua personalisht, Dritan Smajli me këshillat që më ka dhënë më ka mbështetur shumë”.
Lidhur me të ardhmen e tij, Ndreca ka shtuar: “Do të punojë shumë, jam i ri, karriera ime sapo ka nisur. Do të mundohem që të ngjis shkallët e karrierës në një të ardhme shumë të afërt. Në Itali të rinjtë gjejnë vend, kanë përparësi, ndaj edhe unë do ta shfrytëzoj këtë mundësi që më është dhënë”, – ka pohuar Akileu Ndreca, një nga lojtarët e rinj që pasi spikati te moshat e Vllaznisë, tashmë kërkon fatin e karrierës jashtë vendit.