Tetë shtetas shqiptarë, ndër të cilët edhe një ish- futbollist, pjesë e një grupi të organizuar kriminal të përfshirë të trafik kokaine, janë dënuar me 44 vite burg në total nga një gjykatë britanike. Ky grup, që vepronte në Londër dhe Anglinë jugore, udhëhiqej nga shtetasi Lulëzim Zefi, 36 vjeç, i cili përdorte korrierë profesionistë, të cilët përmes makinave të modifikuara transportonin drogën. I gjithë grupi u vu nën survejim për dy muaj nga oficerët e Agjencisë Kombëtare Kundër Krimit të Organizuar, NCA.

Katër prej korrierëve të Zefit u kapën më 27 prill 2017 teksa po dërgonin 9 kg kokainë në një parkim në zonën Brentford. Pjesë e këtij grupi të arrestuar dhe tashmë të dënuar,ishte edhe ish-futbollisti i Besës së Kavajës, kosovari Valon Bajgora, i cili është dënuar me tetë vite burg nga gjykata e Londrës. Vendimi i ardhur nga autoritetet britanike, vjen pas hetimit të ish-futbollistit, bashkë edhe me disa shqiptarë të tjerë. Bajgora është aktivizuar më parë, me skuadrën e Besës në Kavajë, si dhe me Prishtinën dhe Flamurtarin, në Kosovë.
© shkodrasport.com