Skerdi Bejzade nuk ka pritur sezonin e ri për të filluar punën si trajneri i parë i skuadrës së Arminia Hanover në futbollin gjerman. Ish-sulmuesi i njohur, i cili gjatë karrierës së tij ka veshur fanellën e ekipeve si Elbasani, Partizani e Vllaznia, ka filluar që këto javë eksperiencën e tij si trajner i parë në klubin ku ai luajti disa vite gjatë karrierës si futbollist.

Bejzade prej kohësh është transferuar në Gjermani, ku jeton me familjen dhe te Arminia Hanover i kishin besuar ekipin e të rinjve. Palët ranë dakord në mars që Bejzade të merrte ekipin e parë në drejtim duke filluar që nga sezoni i ardhshëm.

Por pak ditë më parë, stafi teknik i Arminias dha dorëheqjen, duke insistuar që Bejzade të merrte që tani drejtimin e të fillonte punën për edicionin e ardhshëm që në këto javë të mbetura të kampionatit ku skuadra nuk ka shanse të ngjitet më lart.

Kësisoj, Bejzade u ul në pankinë për ndeshjen e tij të parë që në javën e kaluar, fatkeqësisht pa arritur të sigurojë një rezultat pozitiv pasi u mund 2-0 nga Bersenbrik. Gjithsesi, në klub mendojnë që t’i japin atij mundësinë dhe kohën që të testojë lojtarët që do t’i duhen për vitin e ardhshëm, kur nën drejtimin e ish-sulmuesit shqiptar do të kërkohet ngjitja një kategori më lart. /vipsport/