Tashmë është zyrtare! Lorik Boshnjaku do të vijojë karrierën te Suhareka e Shpëtim Duros. Pas aventurës me Vllazninë, mesfushori do të vijojë karrierën te skuadra që do të militojë në Superligën e Kosovës, teksa ka nënshkruar një kontratë 3-vjeçare. Në të kaluarën Boshnjaku ka qenë pjesë e Prishtinës dhe e njeh mirë futbollin kosovar.

Me fanellën e Vllaznisë, Boshnjaku u aktivizua 33 ndeshje, në kampionat, ku shënoi 2 gola si dhe dhuroi 3 asist. Gjithashtu mesfushori regjistroi edhe 2 ndeshje në Europë, 2 në “Final 4” dhe 5 në Kupën e Shqipërisë.

NJOFTIMI I SUHAREKËS:

Ju prezantojmë transferimin e ri dhe të parin për këtë merkato mesfushorin Lorik Boshnjaku i cili bashkohet me klubin tonë me kontratë 3-vjeçare. Pas një eksperience në Shqipëri tek Vllaznia, Boshnjaku rikthehet në futbollin Kosovar ku më parë ishte pjesë e Prishtinë për vite të tëra.

Prezantimi i futbollistit është bërë në ambientet e BSR Group në pronësinë e aksionarit tonë të klubit z.Shaqir Rrahmanaj gjithashtu në prezantim të futbollistit ishte i pranishëm presidenti i klubit tonë z.Rrustem Aliaj, z.Jetmir Bytyqi dhe drejtori menagjerial z.Bajram Sherifi që udhëtuan drejt Zvicrrës për të nënshkruar kontratën. Ditëve në vijim do bëhet prezantimi në fanellat e FC SUHAREKA.