Padyshim që takimi i nesërm ndaj Partizanit konsiderohet shumë i vështirë për Vllazninë. Shumë vetë mund të mendojnë se kjo përballje ka ardhur në momentin më të mirë për shkodranët sepse kundërshtari po kalon një minikrizë për shkak të rezultatit të fundit ndaj Luftëtarit. Por ka edhe nga ata që mendojnë ndryshe. I tillë është ish- futbollisti i Vllaznisë Edmond Doçi që duke folur në lidhje me takimin e nesërm të kuqebluve deklaron:

“Ndeshja me Partizanin padyshim që është e vështirë megjithatë Vllaznia duhet të tentojë të marrë një rezultat pozitiv. Mundësitë i ka. Kundërshtari vërtetë vjen nga një moment i vështirë që kaloi në ndeshjen e fundit në Gjirokastër, por padyshim që do të kërkojë të reagojë ndaj ekipit shkodran. Nëse ky i fundit tregohet racional, arrin të shënojë shpejt, jam i bindur se nuk do të dalë pa pikë nga stadiumi. Do ishin pikë shumë të rëndësishme për Vllazninë që do ta ndihmonin atë të përgatitej pak më e qetë për gjysmën e dytë të sezonit”.

© shkodrasport.com