Problematikat me arbitrimin e kanë shoqëruar shpesh futbollin tonë. E sidomos Vllazninë në edicionin e shkuar. Por në këtë fillim kampionati, duket se gabimet arbitrare nuk janë në fokus. Kështu mendon edhe ish-gjyqtari shkodran, Agron Kastrati. Ai thekson se “xhaketat e zeza” për momentin janë të saktë dhe se polemikat nuk ekzistojnë.

Kastrati u shpreh duke thënë: “Shoh një fillim sezoni të qetë në Superiore përsa i përket arbitrave. Për momentin nuk janë protagonistë negativisht për ndeshjet.

Gabime do ketë çdo herë, por tashmë me VAR janë minimizuar në maksimum dhe mendoj se ky sistem këtë sezon po interpretohet shumë më mirë.

Ne kemi arbitra shumë të mirë në futbollin tonë. Të cilët pavarësisht se nuk janë profesionistë siç janë homologët europianë, kryejnë të njëjtat teste si ata.

Flas këtu për testet fizike dhe rezultatet janë shumë të mira, prandaj duhen përgëzuar. Uroj që të mbajnë këtë nivel arbitrimi në vazhdimësinë e kampionatit”.
Endri ÇINARI