Pasditen e djeshme Vllaznia e basketbollit humbi ndeshjen e parë të fazës së dytë të kampionatit, atë ndaj Goga Basket, madje një humbje që u projektua që në minutat e para dhe më pas ishte thjesht një formalitet për t’u kryer.
Ajo që ra në sy ishte forma e dobët thuajse e të pesë lojtarëve të huaj që janë pjesë e Vllaznisë. Vetëm serbi Cvetinoviç mund të jetë i justifikuar ngaqë luajti pak minuta dhe ka ardhur i fundit nga merkatoja, ndërsa të tjetër u bë një muaj që janë pjesë e skuadrës. Ndoshta u duhet edhe më shumë kohë për t’u përshtatur por shfaqja e tyre e parë përpara publikut shkodran, ka qenë shumë e keqe.
Për më tepër ka ndodhur në sytë e disa lojtarëve apo drejtuesve të mëparshëm të cilët kanë patur fatin të jenë kampionë të Shqipërisë pak sezone më parë dhe prisnin ndoshta një Vllazni ndryshe në këtë takim por nuk ndodhi kështu.
Në fushë mbrëmë ishin Carter, Bradford, Hoëard, Svete dhe Cvetinoviç, ndërsa në tribunë siç e shikoni nga fotoja e këtij shkrimi, ishin duke i ndjekur ata dy ish-kampionët, Nikolin Arra e Gjon Ndoja. I pari është shkëputur kohët e fundit nga basketbolli për shkak të disa angazhimeve të tij ndërsa i dyti siç dihet ka mbyllur sezonin për shkak të dëmtimit që ka pësuar në gju. Pak më larg tyre ishte edhe ish-kapiteni Ervin Berdica e po ashtu edhe ish- trajneri i këtij ekipi Bledar Gjeçaj dhe madje edhe ish- presidenti Sokol Dibra.
Ata me siguri që janë ndjerë vërtetë keq kur kanë parë Vllazninë aktuale të vuajë sërish ndonëse presidenti aktual ka shpenzuar mjaft për të ndërtuar këtë ekip, por mesa duket nuk ka gjetur lojtarët e duhur.
Por nga ana tjetër, me siguri që kjo paraqitje e tyre i ka bërë të ndjehen edhe më krenarë me atë çfarë kanë dhënë në fushë pak sezone më parë, kur jo vetëm mbushën pallatin e sportit, por i dhuruan Vllaznisë dhe Shkodrës katër trofe njëri pas tjetrit.
© shkodrasport.com