Arbitrimi i Davide Massa në ndeshjen mes Real Madridit dhe Leipzig ngjalli shumë diskutime. Dështimi për ta përjashtuar Vinicius me karton të kuq, pas futjes së duarve në fyt dhe shtytjes ndaj Orban e kryqëzojnë kryesorin italian:.”Unë mendoj se problemi është në nënndërgjegjen e gjyqtarëve”, – tha Emmanuel Petit për “RMC Sport”.

Ish-kampioni i botës me Francën shpjegoi: “E kam përjetuar në kohën time me Monaco, kundër Milanit të madh të treshes së holandezëve, që dominonte në Evropë. Ata luanin shpesh në finalet e Kupave të Evropës, fitonin titullin në Itali, por kur luanin në shtëpi ka pasur gjithmonë episode në favor, favorizime të dukshme arbitrimi. Në atë kohë nuk kishte VAR dhe ne lojtarët i thonim vetes: sa e çuditshme!

Nuk po flas për korrupsion, nuk po flas për konspiracion. Personalisht mendoj se gjyqtarët, kur mbërrijnë në “Bernabeu”, janë të impresionuar nga pozicioni dhe statusi i Real Madridit. Tani, a mjafton kjo për të justifikuar gjithçka që po ndodh prej disa vitesh? Nuk do të quaj konspiracion dëshirën për ta mbrojtur Real Madridin, por ka një problem në nënndërgjegjen e gjyqtarëve”.

Vlen të kujtohet se precedenti i vetëm i Monaco së Petit kundër Milanit ishte në gjysmëfinalen e Champions League. Kampionët e vitit 1994 fituan 3-0, të cilët më pas triumfuan edhe në finale duke mposhtur Barcelonën 4-0./telesport/