Suad Lici ka zgjedhur të evitojë prononcimet rreth Vllaznisë dhe jo vetëm, që pas largimit si administrator i klubit shkodran katër vjet më parë.

Megjithatë, ish-kapiteni që ka fituar me Vllazninë dy herë titullin kampion, dy herë Superkupën dhe një herë Kupën e Shqipërisë, ka folur dje ekskluzivisht për “Panorama Sport” për ecurinë e skuadrës kuqeblu, kampionatin në tërësi dhe formulën e çuditshme për ekipin kampion. Për këtë të fundit ishmbrojtësi ua kalon “topin” presidentëve të klubeve, të cilët kanë pranuar propozimin e FSHF-së. Lici ka edhe një apel për futbollistë e rinj shkodranë që rriten në akademinë e Vllaznisë dhe duan të bëjnë karrierë.

Suad, çfarë përshtypjeje të bën ky kampionat pas 19 javësh?

Kampionati më duket i fortë për vendin e katërt kryesisht, pasi për pozicionet e kreut besoj se janë vetëm dy ekipe që bëjnë diferencën: Partizani dhe Egnatia. Megjithatë, unë shikoj një luftë të ashpër për fundin e tabelës dhe kështu ka për të qenë deri në fund.


Në syrin tuaj, çfarë i mungon tashmë ekipit për të bërë atë hapin cilësor dhe që ndoshta mund ta rregullojë në merkaton e janarit?

Gjithmonë skuadra ka nevojë të përmirësohet, sepse duhet të kemi parasysh që jo çdo afrim që mund të bëhet në verë, del për mbarë. Për mendimin tim, aktualisht Vllaznisë i duhen afrime në tri pozicione: mbrojtje, mesfushë dhe sulm. Duke marrë nga një lojtar cilësor në këto pozicione dhe sidomos te pjesa e krahëve, ekipi bëhet i fortë.

Vërtet Gruda dhe Balaj po bëjnë mirë, por prapë skuadra ka nevojë për afrime në sulm. Ju e keni parë vetë që janë detyruar të aktivizojnë Malën si mbrojtës të majtë. Nëse marrin një mbrojtës, një mesfushor dhe një sulmues, do të shtonin konkurrencën. Kështu skuadra do të ishte më efikase dhe do të jepte garanci për vazhdimësinë.