Futbolli i femrave po merr gjithnjë e më shumë zgjerim jo vetëm brenda territorit shqiptar, por në fakt këto vitet e fundit po dalin në skenë edhe lojtare dhe trajnerë që po punojnë dhe po tregojnë vlerat e tyre edhe jashtë vendit.

Nëse pak ditë më parë ish- futbollistja e “Juban Danja”- Alma Hilaj debutoi në Seria A me ekipin e Florentias, në fakt ka edhe trajnerë shqiptarë të cilët po lënë gjurmë me punën e tyre. Ndoshta më i njohuri ndër ta është Saimir Keci i cili punon tek FC Internazionale me ekipin e femrave.

Por ndërkohë, po në Itali një tjetër trajnere shqiptare po “rritet”. Bëhet fjalë për ish- kapitenin e kombëtares shqiptare Aurora Seranaj. Pas një karriere të suksesshme tetëvjeçare duke luajtur në Shqipëri me ekipin Tirana AS por një sezon edhe me “Juban Danja”, ajo ka provuar edhe disa eksperienca jashtë vendit duke luajtur në Gjermani me TuS Rodenbach dhe FFC Montabaur, por edhe në Maqedoni me ZFK Biljanini Izvori apo në Itali me Lazion.

Këtu vendosi të mbyllë karrierën si sportiste por Aurora kurrsesi nuk mund të largohej nga pasion i saj i madh- futbolli. Këtë herë nis rrugëtimin si trajnere, në të cilin ajo shpreson të jetë po aq e suksesshme.

Ka marrë liçensën “UEFA B” dhe prej shtatorit të vitit të kaluar është pjesë e klubit “Grifone Gialloverde” të Romës në Itali. Aty mban postin e zëvendëstrajneres së ekipit të parë të femrave që merr pjesë në Serinë C të futbollit italian, por njëkohësisht kryen edhe detyrën e trajneres së parë të ekipit U19 femra po të këtij klubi dhe njëkohësisht është edhe pjesë e stafit të shkollës së futbollit të këtij klubi e po ashtu edhe pjesë e stafit U19 të ekipit të djemve.

Pra, një angazhim me kohë të plotë sepse drejtuesit e klubit kanë parë tek Aurora Seranaj një vajzë shumë të përkushtuar tek e cila besojnë. Në një prononcim për “Shkodra Sport” Aurora flet edhe për këtë zgjedhje të bërë kur thotë: “Ndoqa këtë rrugë sepse futbolli është ëndrra dhe pasioni im i madh. Pasi lashë futbollin e luajtur, nisa rrugëtimin si trajnere. Jam shumë e përkushtuar për ta bërë sa më mirë këtë punë dhe e kam të qartë se me punë e vullne mund të arrihet gjithçka”.

Ndërkohë e pyetur se cila është dëshira e saj për të ardhmen, Seranaj shton: Dua të arrij që një ditë të bëhen një trajnere e zonja dhe të drejtoj një prej ekipeve kombëtare”.
Gjergj KOLA