Një nga mbrojtësit e Kombëtares shqiptare i ka thënë lamtumirë futbollit të luajtur. Debatik Curri pensionohet, por nuk largohet nga klubi i Prishtinës.

Ish-mbrojtësi i kombëtares shqiptare vendosi t’i “varë këpucët në gozhdë” në moshën 34-vjeçare, por do të jetë krahu i djathtë i Mirel Josës te klubi i kryeqytetit Kosovar.

Pra, Curri do të ketë rolin e ndihmëstrajnerit te Prishtina. Kujtojmë se Debatik Curri e nisi karrierën si futbollist profesionist te Prishtina, ku u bë i njohur në vitet 2003-2004, derisa ra në sy dhe u përfshi në Shqipëria U-21, fillimisht, e pastaj me kombëtaren e madhe kuqezi.

Në rang klubesh, Curri e pati kulmin e karrierës te Vorskla Poltava, në Ukrainë (ku luajti 4 sezone, bashkë me Armend Dallkun).

Ai është aktivizuar për tre sezone te Genclerbirligi në Turqi, më pas te Hoverla Uzhhorod e Sevastopol në Ukrainë, Tirana e Flamurtari në Superligën Shqiptare, për ta mbyllur karrierën pikërisht aty ku e nisi, te skuadra e zemrës, Prishtina.

Debatik Curri ka luajtur 44 ndeshje me kombëtaren shqiptare, duke shënuar edhe një gol të bukur kundër Holandës, në “Amsterdam Arena”.