Humbja përballë Atalantës ka vendosur në epiqendër të kritikave Napolin e Karlo Ançelotit, skuadër e cila duket shumë larg formës që shfaqi në fillimin e edicionit dhe vetëm gabimet e njëpasnjëshme të ndjekësve i dhanë mundësinë që të ruante pozicionin e saj në vendin e dytë.
Një pjese e tifozëve, kanë vërshëllyer skuadrën ndërsa në tribuna u hap edhe në parullë që i kushtohej ish-trajnerit, Mauricio Sarri, duke kërkuar kthimin e tij. Një situatë që nuk i ka pëlqyer ish-mbrojtësit të Napolit, Fabiano Santakroçe. 32-cjeçari, nepërmjet një postimi në rrjetet sociale u është kundërvënë këtyre tifozëve, duke mbrojtur Ançelotin, por duke kritikuar zgjedhjen që kishte bërë me Elseid Hysajn.
“Ju lutem, mos më bëni më të dëgjoj faza të tipit ‘me Sarrin’. Me Sarrin dhe pa ndonjë prej titullarëve në fushë, ishin për t’u tallur”, ishte një pjesë e postimit të tij, duke vazhduar më pas pjesën për mbrojtësin shqiptar, në vështirësi të dukshme në ndeshjen ndaj Atalantës.
“Me gjithë respektin, boll me Hysajn në krahun e majtë”, ishin fjalët e futbollistit, i cili në fakt ka qenë një nga lojtarët e krahut të majtë te Napolit në vitet 2008-201 kur luante te kjo skuadër. /vipsport