Deklaratat e trajnerit Mirsad Jonuz në lidhje me problemet që ka hasur muajt e fundit me fushën e stërvitjes në të cilën jo vetëm nuk ka mundur dot të bëjë stërvitje ashtu si duhet, por ka patur edhe dëmtime të shumta lojtarësh, kanë marrë vëmendjen e duhur edhe në media.
Ndonëse pronarët e fushës deklarojnë se fusha ka qenë në gjendje shumë të mirë pesë muaj më përpara, sërish ajo që mbetet është gjendja aktuale. Sidomos në periudhë shiu, shqetësimi kryesor i gjithë ekipit është se ku do të stërvitet ekipi.
Në këtë vorbull diskutimesh, ka ndërhyrë edhe ish- mbrojtësi i Vllaznisë Ilir Dibra. Me një koment të bërë në faqen tonë në njërin nga shkrimet që kanë trajtuar këtë çështje, ai i bën një sugjerim shumë interesant trajnerit aktual të kuqebluve.
“Mos u anko tani mor mjeshtër se i ke ditur kushtet e Vllaznisë që ditën kur ke ardhur. Vazhdo e mos u dorëzo!’- shkruan Dibra.
Në fakt ka të drejtë. Sugjerimi i tij duhet patjetër që të merret për bazë edhe nga trajneri Jonuz. Tani nuk është koha as për t’u ankuar dhe as për të gjetur fushë tjetër sepse në fakt në Shkodër nuk ka më të mirë aktualisht. Por meqenëse ai është “timonieri”, ai duhet të dorëzohet i fundit dhe ta drejtojë anijen për andej nga duhet.
Prandaj dhe duhet të shohë përpara. Sfida me Kukësin është në prag dhe duhet ta bëjë skuadrën për të pretenduar një rezultat pozitiv në këtë ballafaqim shumë të vështirë në të cilin ndoshta shumëkush mendon se është e vështirë për ta marrë, megjithatë dhe në fazën e parë Vllaznia tregoi se di edhe të fitojë madje ndaj këtij kundërshtari.
© shkodrasport.com