Rrezikun e rënies së Vllaznisë nuk e ndien vetëm qyteti dhe njerëzit pranë skuadrës, por i gjithë opinioni sportiv.

Futbollistë, ish-futbollistë apo edhe legjenda të kuqebluve ndër vite kanë bërë thirrje për të shmangur situatën aktuale të Vllaznisë.

Mirëpo, ka edhe të tjerë që e shohin me sy kritik këtë situatë dhe nuk e pranojnë me lehtësi situatën aktuale, ku vetë legjendat që e kanë ngritur në piedestal emrin e Vllaznisë të bëjnë thirrje për mëshirë.

ISH-FUTBOLLISTI – Polizoi Arbri ka shfrytëzuar rrjetet sociale dhe një status të Edi Martinit për të reaguar mbi situatën e Vllaznisë, duke e cilësuar si turp momentin aktual që detyron një legjendë si Martini të kërkojë mëshirë.

“Profesor… Ti e ndien më shumë se kushdo tjetër këtë gjendje që u katandis Vllaznia.

Për aq sa luajta dhe në momentin që vesha atë fanellë, jam ndier i vlerësuar që më besuan atë fanellë aq të shtrenjtë dhe mendoj se e kam respektuar.

Turp për ata që e katandisën dhe të arrijë një legjendë si Edi Martini të bëjë këtë status për mëshirë. Mos më keqkupto profesor. Respekte!”, shkroi Arbri.

EDI MARTINI – Më parë, ish-trajneri i Vllaznisë dhe Laçit, Edi Martini, kishte reaguar në faqen e tij zyrtare në “Facebook”:

“Kanë kaluar shumë vite, që bashkë me presidentin Pashk Laska, dolëm në Superligë dhe që prej asaj dite Laçi shkroi historinë në futbollin shqiptar.

Jam tifoz i atij ekipi dhe atij presidenti, por sot më shumë se kurrë i uroj të fitojë edhe për Vllazninë time!”, shkruante Martini./panorama-sport/