Edmond Doçi parashikon “pengesa” për Vllazninë. Ish-mesfushori i shkodranëve, fitues i Kupës së Shqipërisë, deklaron se rrugëtimi drejt Kategorisë Superiore nuk do të jetë aspak i lehtë.
Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, 37-vjeçari analizon ndalesën e parë sezonale të kuqebluve dhe evidenton se ka ikur koha kur diferencën në fushën e lojës e bënte emri, pasi tashmë çdo ekip luan futboll.
“Mendoj se takimi me Shënkollin tregoi më së miri se sot nuk luan më ’emri’, por lojtarët në fushë. Vllaznia është ekipi i madh, por duhet të jetë më e kujdesshme. Edhe pse meritonim më shumë se një pikë, mendoj se Shënkolli dha shumë në këtë përballje dhe dëshmoi se është një ekip i fortë dhe sidomos në shtëpinë e vet”, u shpreh fillimisht ishmesfushori.
PENGESAT – Starti i Vllaznisë ishte mbresëlënës në Kategorinë e Parë, por pas 6 fitoreve radhazi, erdhi edhe barazimi i parë. Në kësi kushtesh, Doçi paralajmëron se nuk kanë për ta pasur kurrsesi “autostradë” rikthimin në elitë. Të gjitha ekipet kanë një objektiv, ndaj kushdo që do të vihet përballë kuqebluve do të luajë fort për të marrë pikë.
“Vazhdimësia nuk do të jetë ashtu siç ishte starti i këtij kampionati për Vllazninë. Nga java në javë do të kenë takime edhe më të vështira dhe kundërshtarët do të kërkojnë dhe tentojnë që sidomos në fushën e tyre të marrin më të mirën.
Impenjimi i çdokujt do të jetë më i madh ndaj shkodranëve. E kjo do t’ua bëjë më të komplikuar rrugën deri në fund të sezonit. Çdo fushë do të jetë e vështirë, çdo skuadër do të kërkojë fitore me çdo kusht ndaj Vllaznisë.
Megjithatë, nëse skuadra tregon një lojë në rritje, atëherë punët do t’i lehtësohen për të ardhmen”, theksoi ai, duke nënkuptuar se qejfi mbaroi.
NGJITJA – Pavarësisht se Doçi foli për një rrugëtim jo të lehtë, sërish ai ka besimin e plotë se Vllaznia do të jetë pjesë e elitës sezonin e ardhshëm.
“Pavarësisht se thashë që do ta ketë të vështirë në çdo takim dhe sidomos në fazën e dytë, jam i mendimit se nuk do ta diskutojnë daljen në Superiore. Ka pak skuadra konkurrente, por gjithsesi ky është niveli i kësaj kategorie dhe Vllaznia do ta arrijë atë objektiv që ka”, ka përfunduar ish-mesfushori.