Saimir Patushi, ish-mesfushori i Tiranës, deklaron se problemi më i madh i bardhebluve janë vetë lojtarët. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ish-kampioni i shumëfishtë me bardheblutë (por edhe ish- futbollisti i Vllaznise) analizon gjendjen e ekipit.

Ai është radikal teksa thotë se një pjesë e mirë e ekipit të Tiranës, duhet të largohet nga skuadra, pasi nuk janë për këtë nivel. Ja intervista ekskluzive për “Panorama Sport”.

Saimir e keni ndjekur Tiranën këto kohë. Si ju duket dhe e prisnit kaq keq?

Ndeshjen me Laçin nuk e pashë. Ndeshja e fundit që kam ndjekur është derbi me Partizanin dhe jam zhgënjyer shumë. Jo vetëm nga rezultati, por edhe nga loja e ekipit.

Nuk është ajo Tirana e madhe, që bëri historinë kur luaja unë, por dhe më parë. Është një Tiranë pa ngjyrë dhe lojtarët nuk janë në nivelin e emrit bardheblu.

Një skuadër që nuk të ngroh, nuk të jep shpresë për të ardhmen. Kaq keq nuk e kam pritur asnjëherë.

Cili është problemi i Tiranës? Ka mendime të ndryshme, mesfusha apo mbrojtja kanë probleme?

Të them të vërtetën, gjithë Tirana më ka zhgënjyer. Nuk është asgjëkund. Thashë më lart se nuk më pëlqeu asgjë. Tirana nuk ka lojtarë për Tiranën. Ka lojtarë normalë.

Një pjesë e skuadrës është ajo që ra nga kategoria dhe pjesa tjetër janë të huaj apo të ardhur këtë sezon.

Këta lojtarë nuk mund të luajnë me Tiranën. 80 për qind e ekipit nuk janë për Tiranën. Duhet të afrohen lojtarë shumë të mirë dhe liderë në fushën e lojës.