Adriano Bakoni është një prej ekspertëve të taktikës më të njohur në Itali. Për disa vite me radhë ai ka qenë krahu i djathtë i Marçelo Lipit, duke punuar përkrah tij gjatë Botërorit 2006, për t’i siguruar informacione që i mundësuan Italisë suksesin në atë turne. Tanimë një opinionist televiziv, Bakoni nuk ka ngurruar të theksojë se në analizën e lojës së Napolit, problemi më i madh që ka kjo skuadër është pikërisht Elseid Hysaj. Pas barazimit ndaj Fiorentinës, Bakoni mendon se loja e mbrojtësit shqiptar është në fakt ajo që po penalizon skuadrën duke e bërë të parashikueshme.
“Problemi i Napolit në këtë ndeshje ishte i lehtë për t’u identifikuar. Ka një emër dhe mbiemër: Elseid Hysaj. Mbrojtësi i krahut shqiptar ishte futbollisti që ka prekur më shumë herë topin, praktikisht ishte regjisori i skuadrës. Fiorentina i lejoi Napolit të luante vetëm në krahun e djathtë dhe kjo është e papranueshme në këto nivele pasi e detyroi të bënte atë që donte. Nuk mendoj se Hysaj ka në kapacitetin e tij të organizojë lojën”, ishin fjalët e Bakonit duke lënë të kuptohet se edhe skuadrat e tjera do të mundohen që të bëjnë të njëjtën gjë në të ardhmen për të shfrytëzuar mangësitë teknike të mbrojtësit shqiptar. /vipsport.al/