Pakkush mund ta kujtojë, por 10 vite më parë, Vllaznia kishte si portier titullar një gjerman. Lutz Pfanenshtil veshi për 14 ndeshje fanellën e kuqebluve në sezonin 2006-2007, duke u larguar më pas për të vazhduar rrugëtimin në një karrierë që e ka parë atë të bëhet pjesë e librit të rekordeve Guiness. Pfanenshtiel u bë i njohur në të gjithë botën, kur u bë futbollisti i parë i cili ka luajtur si futbollist profesionist në të 6 kontinentet, duke përfshirë klube në vende si Namibia e Zelanda e Re.

I akuzuar dhe i burgosur për më shumë se 100 ditë për manipulim ndeshjesh kur luante në Singapor, Pfanenshtiel zbarkoi në Shkodër në verën e vitit 2006, duke u larguar në gjysëm të sezonit për të vazhduar më pas drejt kampionateve të tjera të panjohura për shumëkënd duke luajtur për 25 klube të ndryshme.

Pfanenshtiel ka vendosur që historinë e jetës së tij ta tregojë për të gjithë lexuesit gjermanë duke zbuluar jo vetëm etapat e karrierës, por edhe suveniret që kishte marrë nga vende të ndryshme. Një prej tyre ishte edhe gazeta “Sporti Shqiptar” e cila me anë të gazetarit Gjergj Kola, i kushtonte një artikull  këtij portieri në momentin që ai kishte firmosur për Vllazninë.visport.al