Dy ish-presidentët e fundit të klubit të futbollit Vllaznia, Agron Çela dhe Valter Fushaj, janë shprehur se me të tillë legjislacioni rruga më e mirë për ta mbajtur skuadrën në këto momente është ajo e drejtimit të saj nga ana e bashkisë. Dy-ish presidentët, të cilët e kanë drejtuar klubin së bashku, por edhe veç e veç kanë dhënë së tepërmi për këtë klub. Madje ata janë ndër personat që janë përfshirë edhe në negociatat me kryeministrin Edi Rama për të përfunduar pjesën e mbetur të stadiumit “Loro Boriçi”.
Çela – Deputeti aktual i Shkodrës dhe njëherësh ish-presidenti i fundit i kuqebluve ka vlerësuar punën e deritanishme në këtë klub. Ai është shprehur për gabimin që drejtuesit e bashkisë kanë bërë në arritjen e marrëveshjes së parë me kompaninë “Gea Sport”. “Dua të them se bashkia ka gabuar në momentet e para që ua kanë dhënë klubin drejtuesve të kompanisë ‘Gea Sport’. Kam qenë i mendimit që klubi duhet t’i ishte dhënë një privati, por një privati serioz. Kompania, e cila nuk arriti të derdhte as 35 mijë euro në muaj, nuk tregoi një seriozitet. Unë do të thosha që te Vllaznia deri tani është punuar mirë. Do të vlerësoja së tepërmi punën e drejtuesve me në krye Isufin, i cili ka treguar se në ditë të vështira në të cilën u ndodh Vllaznia këta persona u ndodhën pranë. Dua të them se mbështetja dhe përkrahja jonë për këtë klub nuk do të mungojë kurrë. Gjithashtu, jam shumë optimist se brenda një kohe të shkurtër stadiumit ‘Loro Boriçi’ do t’i ndryshojë faqja. Kemi kërkuar për projektet që janë në bashki dhe drejtuesit na i kanë vënë në dispozicion ato”.
Fushaj – “Unë që në fillim nuk kam qenë që klubi të merrej dhe të administrohej nga kompania ‘Gea Sport’. Ata e kanë treguar se sa vlejnë. Më vjen keq për atë që ndodhi, por më mirë tani. Unë jam i mendimit që me këtë legjislacion bashkia duhet ta mbajë klubin Vllaznia, pasi është gjëja më e mirë për momentin. E kam përmendur se nuk i them jo Vllaznisë, por duhet që gjërat të bëhen sipas rregullave dhe të jetë gjithçka e ligjshme. Bashkia tani duhet të bëjë më të mirën, në mënyrë që klubi të vijojë të ketë këto ritme. Në fakt, duhet thënë se janë të kënaqshme”. Më tej ai vijon “Pas negociatave të Mjeshtrit të Merituar të Sportit, z.Hysen Zmijani, u negociua që kryeministri Rama të kthejë kokën edhe nga stadiumi ynë. Unë kam besim që kjo nuk do të jetë një premtim, por një realitet. Duhet që ne të mos vonohemi në mënyrë që Shkodra të fitojë një stadium të përmasave kombëtare”.
ADMIR URUÇI