Të gjithë besoj se i kujtohet Roberto Nava, presidenti i Kompanisë “Gea Sport”, i cili arriti të fitonte besimin e anëtarëve të Këshillit Bashkiak në Shkodër, të cilët votuan dhe i dhanë të drejtën që të drejtonte skuadrën shkodrane. Por, “muaji i mjaltit”, zgjati shumë pak, pasi kompania e Navës që ishte një binjakëzim mes italo-zviceran nisi të mos paguante futbollistët, por edhe vetë trajnerin, Baldo Rainerin të cilin e solli po vetë në ekip. Dhe fundi ishte që kjo kompani arriti të fitonte një gjyq me klubin e Vllaznisë, ku arriti të fitonte disa mijëra euro për prishje të kontratës me klubin, ndërkohë që gjyqi vazhdon të jetë në apel.

Pasi u largua nga Vllaznia, Nava kërkoi edhe dy klube të tjera shqiptare kryesisht në Kategorinë e Parë, por u refuzua. Siç raporton “eduasportin.com”, duket se dashuria e Navës për të drejtuar një klub, duke qenë se kompani e tij menaxhon futbollistë, nuk ka mbaruar. Lajmi që vjen nga mediat italiane flasin për një interesim të Navës, për të blerë klubin Italian që luan në Lega Pro, Akgracas. Por, do të shihet nëse një operacion i tillë do të realizohet.

© shkodrasport.com