Polemikat për kampionatin e sezonit 1996-1997 thellohen edhe më tej në “Panorama Sport”, pikërisht 23 vite më pas, në një kohë që në Shqipëri futbolli ka ndalur prej përhapjes së koronavirusit. Pas disa prononcimeve ekskluzive të protagonistëve të asaj kohe nga Tirana kampione dhe Flamurtari, e gjithashtu pas rrëfimit për atë sezon nga ish-shefi i sektorit të garave në FSHF, Besnik Çela, sot foli enkas për gazetën edhe ish-presidenti i klubit vlonjat, Shkëlqim Selami.
Ky i fundit tregon të pathënat e atij kampionati të kontestuar, që pasi zhvilloi 17 javë u ndërpre prej trazirave, e më pas vazhdoi me një ndarje në tri grupe me nga 6 ekipe. “Tirana na vodhi titullin dhe kupën për dy sezone rresht në vitet ’96-’97. FSHF na tha se në 1997 kampion është Flamurtari, por më pas shpiki ‘play-off’ dhe ndihmoi Tiranën”, tregon ndër të tjera Selami në bisedën ekskluzive për “panoramasport.al”. Biznesmeni vlonjat u tërhoq nga drejtimi i klubit pas atij sezoni, ndërsa deri 3 vite më parë ka qenë deputet i Vlorës.
Zoti Selami, jemi në një situatë emergjente prej koronavirusit. Së pari si jeni me shëndet dhe sa i respekton rregullat?
Normalisht si gjithë të tjerët edhe unë jam në karantinë. Në fakt, dalë pak, sepse duhet të vete të shoh punën dhe aktivitetet për arsye se të gjithë punonjësit i kemi çuar pranë familjeve së tyre që më 10 mars. Duhen respektuar të gjitha rregullat që janë vendosur, në mënyrë që rehabilitimi të jetë sa më i shpejtë dhe t’i kthehemi normalitetit.
Javët e fundit është hapur një debat në “Panorama Sport” sa i përket sezonit 1996-1997, ku ju keni qenë president i Flamurtarit dhe në fund titullin e fitoi Tirana. Çfarë të kujton ai kampionat?
Për vitin 1997 më kujtohen të gjitha dhe aq më shumë për ekipin dhe ngjarjet që u zhvilluan. Kampionati u pezullua prej trazirave dhe Flamurtari ishte 9 pikë para vendit të dytë.
OK, por më pas FSHF vendosi që të rifillonte kampionati me një “play-off” për titullin…
Po, pas disa kohësh na u kërkua një mbledhje në Federatë me 6 ekipet e para. Aty u diskutua për vazhdimësinë se çfarë mund të bënim. Isha vetë i pranishëm dhe përfaqësues të klubeve si Vllaznia etj. Në FSHF na thanë që kampionati i takon Flamurtarit. Edhe unë këtë mendim kisha përderisa ishin luajtur 17 javë dhe kampionati ishte ndërprerë me muaj të tërë. Natyrisht, në atë kohë ai kampionat dhe shumë të tjerë do t’i merrte Flamurtari, sepse unë pothuajse të gjithë futbollistët i kisha me kontrata afatgjata. Po të mos ishte gjendja e jashtëzakonshme, do fitoja gjithçka, por ndodhi ajo që ndodhi dhe pothuajse të gjithë lojtarët më ikën.
Çfarë iu the drejtuesve të FSHF-së në atë mbledhje dhe cili ishte vendimi që iu komunikua juve si klub?
Unë iu thashë drejtuesve të asaj kohe në FSHF se ky kampionat nuk ka si zhvillohet në Tiranë, në një kohë që Flamurtari ishte me lojtarë 16-17 vjeçarë. Futbollistët më ikën për arsye të situatës dhe përderisa u ndërpre kampionati për një kohë të gjatë duhet t’i jepej Flamurtarit. Mbaj mend që u vendos nga FSHF që ne të cilësoheshim kampion dhe të mos binte atë sezon nga kategoria asnjë skuadër. Mbledhja në FSHF u mbyll me këtë vendim.
Po më pas çfarë ndodhi që ndryshoi situata?
Pas disa muajsh, por jo nga unë, kampionati u organizua në Tiranë me grumbullim të skuadrave. Ky është një turp i Federatës së asaj kohe, pasi ai kampionat i takonte Vlorës!
Çfarë mban mend nga ndeshja e fundit me Tiranën në “Qemal Stafa” që Flamurtari humbi kampionatin?
Në ndeshjen me Tiranën në vitin 1997 unë nuk vajta, pasi e kisha marrë vendimin që nuk marrë pjesë në një “play-off” me grumbullim në Tiranë, duke qenë se lojtarët kishin ikur. Dhe për turpin e tyre dhe të disave nga pjesa shtet e ekipit tonë, Flamurtari vajti me 16-vjeçarë në Tiranë.
Ndërkaq, Flamurtarit ka humbur edhe finalen e Kupës së Shqipërisë në vitit 1996, teksa vetë ish-shefi i sektorit të garave në FSHF, Besnik Çela, ka pranuar se Tirana shënoi gol me dorë…
Në sezonin 1995-1996 në finalen e Kupës së Shqipërisë ndeshja ishte në favorin tonë dhe në fund, një lojtar i Tiranës ngrihet në zonë me kokë, por topi ishte shumë lartë dhe e kapi me dorë, e më pas e uli në tokë. Në këtë moment të gjithë ndaluan, jo se mbaroi loja, por se ishte faull, pasi e kapi më dore si në basketboll lojtari i Tiranës. Të gjithë e lanë lojën, ndërsa arbitri i tha atij që e uli me dorë vazhdo, vazhdo dhe e bëri gol.
Më doli pulsi nga vendi tani që e kujtoj atë moment. Donim të tërhiqeshim, por më thanë se nëse e bënim këtë, FSHF do përjashtonte ekipin. Loja vajti me penallti dhe humbëm. Nga Tirana na janë marrë dy kupa dhe një kampionat. Janë grabitur, kaq di të them, vetëm në dy sezone. Nëse nuk do ishte viti 1997, klubet e Tiranës do t’i harronin kupat për shumë kohë.
Pse ky qëndrim i FSHF-së në atë kohë kundër Flamurtarit?
Ishin klane të caktuara. Arbitri që bëri atë gjestin ishte tifoz i Tiranës. Këtë e dinë të gjithë, ndërsa e vranë pas dy-tre vjetësh.
Tani që jemi në kushte emergjence, si mendoni se duhet të vazhdojë kampionati pas pushimit të detyruar?
Unë mendoj që kampionati duhet t’i jepet kryesuesit aktual dhe mos të ketë skuadra që dalin nga kategoria këtë sezon. Kampionati të fillojë normalisht për sezonin tjetër. Nuk ka sens të ketë ndonjë formulë grumbullimi, sepse faktori fushë tek ne është primar.