Ndalet futbolli. Mbizotëron frika. Koha për sa më pak lëvizje dhe kontakte mes njerëzve. Në momentin që faktorë të rrezikshëm vënë në diskutim shëndetin dhe jetën, është koha që edhe sfera e shumëdashur nëpër botë të mos rrotullohet e mos shkelmohet për pak.

E teksa është ndalur edhe kampionati shqiptar, duke menduar për nisjen e kampionatit, verdiktet e tij vihen në diakutim. Edhe nëpër vende të tjera europiane ka nisur të diskutohet për skenaret e kampionatit, se si mund të mbyllet.

Për këtë, “Panorama Sport” ka kontaktuar me Eduard Prodanin. Ish-Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, komenton se si do të mund të zgjidhej çështja e rifillimit të kampionatit.

“Zgjidhja do të varet sigurisht nga periudha e kohës që do të zgjasë ndërprerja e detyruar, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë.Me këtë kam parasysh 2 rastet kur koha e mbetur do të lejonte ezaurimin e kalendarit të ndeshjeve të pazhvilluara duke i ngjeshur ato dhe rastin kur ajo do ta bënte teknikisht të pamundur një gjë të tillë”- thote ai.

Por ish- sekretari i FSHF-se e ka edhe zgjidhjen gati se si duhet te veproje institucioni i futbollit shqiptar me situaten e krijuar ditet e fundit e per kete shton:

“Rasti i Shqipërisë është gjithmonë më i thjeshtë, jo vetëm se për shkak të mungesës së ligave, vendimi i mbetet thjesht FSHF (që mund t’i duhet të mbledhë Asamblenë e Përgjithshme për këtë qëllim), por edhe për shkak se për vetë realitetin implikimi i çështjeve ekonomiko/komerciale është mëse minimal. Në çdo rast, FSHF duhet të kërkojë konsensus të plotë me klubet, ndryshe vendimet do të kontestohen dhe do të shtojnë dukshëm klimën e mosbesimit.

Në Itali është shtruar një lloj platforme hipotetike me disa teza:

1- Të ketë “Play off” për titullin mes 5 ekipesh. Dhe “play out” për rënien mes 5 të dytave.

2- Të quhet rezultati aktual i kampionatit.

3 – Të bëhet nul kampionati dhe të rinisë vitin tjetër.

4- “Play off” për titull dhe zonën e Europës, duke konsideruar të rëna Flamurtarin e Luftetarin. Si e komentoni secilën prej tyre, pse po fhe pse jo?

Analiza e mësipërme vlen edhe për Italinë. Opsionet që hidhen besoj se janë më shumë mediatike dhe duken si “hesape të bëra pa hanxhinë”. Nga informacionet qe kam, di që klubet kryesore të Europës po bëjnë presion që Europiani të luhet në 2021 dhe kampionatet të zhvillohen në periudhën Qershor-Korrik. Këtë të martë pritet të mbahet një video-konferencë me perfaqësuesit e klubeve, ligave dhe federatave nga ku mund të marrë drejtim ndonjë ide për zgjidhjen që do t’i jepet situatës.

Megjithatë, për t’ju përgjigjur pyetjes tuaj mendoj se zgjidhja numër 1 (me play-off) është ajo që mund të marrë konsensusin më të gjerë të mundshëm dhe më e drejta nga pikepamja e vënies në vend të meritës sportive pa hyrë në detaje. Zgjidhjet e tjera më duken të papranueshme pothuaj nga të gjitha pikëpamjet”.