Ish-sulmuesi i talentuar i Akademisë Vllaznia, Akileu Ndreca, do të jetë futbollisti i rradhës që do të zyrtarizohet me Tiranën. Lezhjani, më parë ka qenë një futbollist i rëndësishëm i ekipeve kuqeblu, teksa atëherë u grumbullua edhe me ekipin e parë të Vllaznisë për një periudhë kohe, por u largua nga shkodranët pa u mbyllur mirë sezoni në atë vit.

Në sezonin 2018-2019 duke luajtur me ekipin Vllaznia U19, arriti të shënonte plot 16 gola duke qenë një prej golashënuesve më të mirë të kampionatit bashkë me emra të tjerë si Eridon Qardaku, Mehdi Çoba etj.

Ndreca, tashmë 23-vjeçar do të rikthehet në Shqipëri dhe gjasat janë që sezonin e ri të jetë pjesë e Tiranës, aty ku po stërvitet me këtë ekip që nga fillimi i fazës përgatitore. Sulmuesi lezhjan vjen nga Italia, ku ka luajtur në Serinë D me AC Mestre dhe në 31-takime ka shënuar 9-gola.

Ndreca luan si qendërsulmues dhe është 183-cm i gjatë. Tashmë, mbetet për t’u parë me interes e ardhmja e ish-sulmuesit të Akademisë Vllaznia, Akileu Ndreca, pas disa aventurave të ndryshme të provuara në Itali.
Maringlen ZHIVANI