Drejtuesit e Vllaznisë kanë firmosur këtë të enjte një kontratë profesioniste me një nga elementët më të rëndësishëm të Akademisë kuqeblu vitet e fundit, pikërisht me sulmuesin 18-vjeçar Kevin Dodaj. Ai tashmë është një emër i njohur, sepse ka qenë pjesë e skuadrës së parë në shumë ndeshje në sezonin që sapo u mbyll, madje shënoi një gol shumë të rëndësishëm ndaj Dinamos në minutën e 94-të.
Dodaj ka firmosur për tre vite me Vllazninë dhe drejtuesit e klubit e konsiderojnë një element me shumë të ardhme. Megjithatë, për të arritur deri te ky hap cilësor në karrierën e tij sportive, ai ka kaluar sakrifica dhe mundime të mëdha në kërkim të ëndrrës së tij, duke bërë rrugën Pukë-Shkodër pothuajse çdo ditë vajtje-ardhje. Pas lajmit për nënshkrimin e një kontrate profesioniste të Dodajt me Vllazninë, edhe trajneri i tij i parë, Elton Bungaja, dha një mesazh shumë domethënës në lidhje me sakrificat që Kevin ka bërë çdo ditë.
“E mbaj mend edhe sot ditën e parë kur jam takuar me të. Dukej kaq i lumtur dhe kaq i emocionuar që Rroku e kishte sjellë për t’u rregjistruar në një klub futboll. Që në pamje të parë, të jepte përshtypjen e një atleti me një trup elegant shumë të formuar. Në takimin e parë që kishim bashkë, i dhashë disa ushtrime teknike me top, të cilat i realizoi shumë mirë. Në atë kohë që, Kevi erdhi kisha një grup lojtarësh shumë të talentuar dhe mezi prisja ta prezantoja me skuadrën.
Për një fëmijë si Kevi ishte shumë e thjeshtë të ambientohej me grupin. Një djalë jo vetëm i talentuar dhe me një dëshirë shumë të madhe për të luajtur futboll, por shumë i dashur me shokët, shumë i edukuar dhe gjithmonë i dëgjueshëm dhe i rrespektueshëm me të gjithë. Të gjithë e donin djalin nga Puka, i cili sakrifikonte kaq shumë çdo ditë për të qenë pranë ekipit, duke mos munguar kurrë në asnjë grumbullim me skuadrën. Në çdo ndeshje shkëlqente, ishte krenari ta shohësh duke përformuar në fushën e lojës.
Gjithmonë jepte maksimumin. Nuk kishte ankesa, por çdo herë i gatshëm të ndihmonte skuadrën, qoftë edhe duke ndryshuar pozicionet në fushë. Kevi është një djalë shembullor. Edhe pse i vogël kur ishte me ne, ai dukej shumë i pjekur për moshën që kishte. Dukej sikur kishte marrë përsipër që gjithë mundin dhe sakrificën që bënte familja e tij për të, donte t’ua shpërblente duke i bërë krenarë dhe në çdo ndeshje të brohoritej nga çdo prind dhe lojtar, madje edhe arbitrat.
Lidhja që kishte me të atin është aq e bukur, sa kishe dëshirë ta shikoje që pas çdo goli, gëzonte duke parë drejt të atit. Unë besoj shumë se gjërat në jetë vijnë me një qëllim të caktuar. Një person me zemër të madhe dhe gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar çdo njeri. Ky është Kastriot Faci, i cili e sugjeroi tek ne, besonte tek puna jonë e mirë. U bë shkëndija e një rrugëtimi kaq të bukur për një djalë nga Puka që sot po shkëlqen, duke mbrojtur fanellën e një klubi kaq të madh si Vllaznia.
Kevi është krenari, është shembull i çdo të riu që ëndërron të jetë një lojtar i kompletuar. Jam shumë krenar për ty kampion. Më merr shumë malli ta shoh live duke luajtur dhe njëkohësisht të mbyll sytë dhe të kujtoj 77-shin e vogël, duke vrapuar në fushën e blertë dhe sa herë që topi ishte në këmbët e tij, çdokush mrekullohej. Suksese kampion. Të përqafoj shumë fort”,-shkruan në fjalët e tij, trajneri i parë i Kevin Dodajt, pikërisht Elton Bungaja, i cili sot është në detyrën e presidentit të ekipeve zinxhirë të Atletik Klub Shkodra.
Maringlen ZHIVANI