Medon Berisha ka lënë pas dëmtimin e tij që e mbajti për më shumë se një muaj jashtë fushave të lojës dhe tashmë pak nga pak po integrohet përsëri në lojën e skuadrës së Leçes.

Mesfushori i Kombëtares shqiptare pritet që të aktivizohet më shumë në vijim me klubin e tij, pasi edhe vetë trajneri Marko Xhampaolo, është shprehur se ai është një lojtar që i pëlqen për karakteristikat që ka.

Xhampaolo, i cili në të kaluarën ka drejtuar edhe Milanin, mori drejtimin e Leçes pak javë më parë e tani mund të ketë në dispozicion si një alternativë më shumë edhe Berishën. Ai nuk ka kursyer vlerësimet për mesfushorin në konferencë e djeshme për shtyp.

“Berisha? Më pëlqen, është elegant, di të luajë. Po rritet, është një lojtar që më pëlqen”, ishte komenti i Xhampaolos për mesfushorin 21-vjeçar shqiptar. Berisha në këtë sezon ka luajtur vetëm tre ndeshje në Serinë A si pasojë e dëmtimit që pësoi, me një prej tyre si titullar.