Humbja 0-2 ndaj Vardarit në kuadër të javës së 20-të të kampionatit të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut në futboll, solli fundin e bashkëpunimit mes Struga Trim Lum dhe trajnerit Qatip Osmani.

Pas këtij rezultati negativ, sidomos në fillimin e vështirë të pjesës së dytë të sezonit, ish-trajneri i Vllaznisë ka dhënë dorëheqjen, e cila është pranuar nga drejtuesit e klubit.

Osmani e mori drejtimin e Strugës në fund të majit të vitit të kaluar, duke udhëhequr skuadrën në 26 ndeshje zyrtare – 20 prej tyre në kampionat, 2 në Kupën e Maqedonisë, si dhe 4 takime në arenën ndërkombëtare, përfshirë eliminatoret e Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Konferencës. Bilanci i tij në këtë periudhë ishte 12 fitore, 5 barazime dhe 9 disfata.

Në njoftimin zyrtar, klubi e falënderoi Osmanin për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë qëndrimit në krye të skuadrës, duke i uruar suksese në karrierën e tij të ardhshme.

Drejtuesit e Struga Trim Lum pritet që në ditët në vijim të vendosin për pasuesin e Osmanit, në përpjekje për të rikthyer ekipin në rrugën e rezultateve pozitive. /Telegafi/