Kombëtarja shqiptare regjistroi një tjetër humbje të rëndë dhe kur kanë mbetur tre muaj nga fillimi i Ligës së Kombeve skuadra ndodhet në një gjendje kritike.
Humbja 4-1 nga Ukraina, përforcoi edhe njëherë mendimin se disfata në ‘vëllazëroren’ me Kosovën nuk ishte rastësore.
Me këtë performancë kuqezinjtë janë shumë larg nga ekipi që përfaqësoi Shqipërinë në Kampionatin Evropian, por edhe në kualifikueset për Botërorin, ku u renditëm në vendin e ‘nderit’, pas Spanjës dhe Italisë.
Ish-futbollisti i Kombëtares, Roland Luçi beson se Christian Panucci ka gabuar me eksperimentet e tij, ndërsa është shumë pesimist për të ardhmen.
“Kur humbet sigurisht që gjenden gabimet kudo, por fakt është që me Kombëtaren diçka nuk funksionon.
Trajneri duhet t’i lërë eksperimentet dhe të përqendrohet te një bosht me 15 lojtarë”, tha Luçi në një intervistë për “Eduasportin.com”.
Panucci dhe e ardhmja e tij pas këty dy humbjeve – “Për Panucci-n nuk di çfarë të them, këto ndeshje reflektojnë ndoshta mungesën e personalitetit drejtues të tij.
Sido që të ketë qenë vendosja taktike nga ai e ekipit, një paraqitje e tillë kaq e dobët është e pakonceptueshme për një ekip kombetar”.
Zgjedhjet mbi fubollistët – “Besoj se ka gabuar. Po të isha në vend të tij nuk do të grumbulloja lojtarë që nuk luajnë në ekipet e tyre, sepse mungesa e praktikës së lojës është një mangësi e madhe”.
Shanset e Shqipërisë për t’u kualifikuar në Evropian – “Nuk kemi asnjë shans. Megjithëse futbolli ka trillet e veta, por normalisht nuk kemi shanse, pasi nuk kemi cilësi për t’u kualifikuar.
Duhet pritur kur faza finale të bëhet me 48 ekipe…”.
Liga e Kombeve – “Liga e Kombeve më duket një bllof komercial që vë ekipet përfaqësuese nën presion dhe trajnerëve ju heq mundësinë e eksperimentimit, të realizimit të një ideje te re, sepse nuk ekzistojnë më ndeshjet miqësore”. /EDS/