Ndeshja e parë që u shty sot në Itali pas lajmit të vdekjes së Davide Astorit të Fiorentinës ishte ajo mes Xhenoas dhe Kaljarit.
Kjo, jo thjesht për respektin ndaj futbollistit dhe një tragjedie të rëndë, por edhe për faktin se te Kaljari, lojtarët nuk pranonin të luanin pasi ishin tronditur nga një lajm kaq i rëndë për ish-kapitenin e këtij klubi.
Astori u bë një emër i njohur në futbollin italian pikërisht me fanellën e Kaljarit, ku luajti nga viti 2008, deri në vitin 2016, për të kaluar më pas te Roma e Fiorentina.
Shumë nga lojtarët aktualë të Kaljarit kishin luajtur përkrah tij ndërsa edhe trajneri i kësaj skuadre, Diego Lopez, kishte qenë edhe bashkëlojtar, edhe trajner i tij.
Ndaj sapo ishte përhapur lajmi, Lopez kishte pësuar një gjendje të fikëti, duke alarmuar stafin mjekësor të skuadrës që kishte lajmëruar organizatorët e Serisë A që në një situatë të tillë do të ishte absurde të luhej.
Ndaj ndeshja u vendos të shtyhej që para se të merrej vendimi për anullimin e gjithë javës së kampionatit nga Federata. /vipsport/