Për figurën e Sabah Bizit më në fund duket se po vjen momenti për t’i dhënë nderimet e duhura. Dy vite më parë ka qenë kompozitori i njohur shkodran Osman Mula që bëri një dokumetar për të.

Sivjet ndërkohë, kanë ardhur dy libra njëri pas tjetrit. Fillimisht nga Besnik Dizdari dhe së fundmi edhe nga pasionanti i madh i futbollit dhe i historisë Faik Sadiku.

Sot, kemi shkëputur një pjesë të shkurtër nga libri i këtij të fundit me titull: “Sabah Bizi dhe shkëlqimi magjik i tij. Autori Faik Sadiku ka hedhur në letër një vlerësim të komentatorit të mirënjohur Ismet Bellova për këtë figurë të madhe të futbollit shkodran dhe atij shqiptar.

“Në “Qemal Stafa” për 65 vite me rradhë kam përcjellë djemtë e Lym Allës, Zyber Konçit, Zihni Gjinalit etj. Disa herë kam përcjellë një talent të rrallë të futbollit shqiptar, ky është i madhi Sabah Bizi, artisti i futbollit tonë, një djalë i kompletuar e universal në fushën e lojës.

Një yll i vërtetë i futbollit. Një lojtar, ndoshta ndër të rrallët, që na ka ngjallur emocione. Ka ardhë si djalë i ri i futbollit tonë dhe ka veshë fanellën e ekipit kombëtar.

Kur e kanë pyetë trajnerin e Tiranës, Lym Allën, kush është më i miri i futbollit shqiptar, ai është përgjigjë: “Bizi qëndron në majë të minares, aty te gjysmëhëna, të tjerët vijnë pas tij”.
© shkodrasport.com