Ka lindur në vitin 1926 në Shkodër, në lagjen Perash dhe që fëmijë fillon të luajë futboll duke u inkuadruar më pas në rradhët e ekipit të Vllaznisë në vitin 1943.
Në këtë kohë pëson një aksident dhe qëndron pa luajtur deri në vitin 1945 me të cilën do të vazhdonte të luante deri në vitin 1949.
Brenda kësaj periudhe ka patur një vit shkëputje pasi në sezonin 1946-47 ka luajtur me Partizanin duke u shpallur edhe kampion me te, ndërsa në vitin 1949 kalon tek 17 Nëntori ngaqë transferohet në Tiranë.
Më pas do të shkonte në Hungari për studime dhe në vitet 1957-58 ka qenë trajner i Vllaznisë kur ajo ishte në kategorinë e dytë dhe e nxorri në të parën. Pas kësaj periudhe në Shkodër, kalon në Vlorë dhe më pas në Kavajë ku dallohet për punën e tij si trajner.
“Në kujtesën time do të mbetet një ndeshje e vitit 1949 Vllaznia do të luante përballë skuadrës vendase. Në pjesën e parë shorti na ra me erën në favor, komisar i ndeshjes ka qenë Anton Mazreku ndërsa arbitër Jup Laçi.
Mbasi mbaroi pjesa e parë, i gjithë stadiumi ngrihet në këmbë duke thirrur “Korça, Korça” meqenëse ekipi i tyre do të kishte erën në favor dhe mendonin se do na mundnin lehtë. Prek Gjeloshi që ishte kapiteni ynë, u ul këmbëturqisht në fushë dhe na tha: “Tani ne do të lozim më afër me topin, më afër me njëri- tjetrin”.
Për rrjedhojë ne fituam 4-0 dhe gjithë korçarët u çuditën ndërsa për ne ishte një sukses i madh ndërsa unë e kujtoj si më të bukurën e karrierës time”- do të kujtonte Isuf Pelingu vite më vonë teksa fliste për karrierën e tij.
Megjithatë karrierën më të madh, Cufi do ta bënte në Lezhë. Aty do të shkonte në vitin 1966 dhe pas një pune të madhe do të arrinte ta fuste Besëlidhjen për herë të parë në kategorinë e parë në vitin 1970. Në finale ajo do fitonte 3-2 ndaj Studentit.
Ekipi ishte konsoliduar me lojtarë nga Shkodra dhe rrethet e tjera dhe sukseset fituan të vinin. Pelingu do të konsideronte si rezultatin më interesant të karrierës së tij si trajner, fitoren 3-0 ndaj Vllaznisë në një ndeshje.
Por Besëlidhja pas një viti në kategorinë e parë, ra sërish në të dytën por sërish u ngjit. Lezha kurrë nuk ka qëndruar dy vjet rresht në kategorinë e dytë dhe kjo falë punës së këtij trajneri por edhe futbollistëve si Fehmi Rama, Nikolin Lorenci, Sul Balla, Kol Loshi, Gjergj Voka, Vasil Bici etj.
Në Lezhë, puna e Isuf Pelingut vazhdon të vlerësohet nga të gjithë si njeriu që ka punuar shumë për ta mbajtur Besëlidhjen e tyre në mes ekipeve më të mira të Shqipërisë.
Gjergj KOLA