Sot në Brugnera të Italisë është zhvilluar një ndeshje miqësore në mes kombëtareve të 17 vjeçarëve të Italisë dhe Serbisë. Ajo është dominuar në të gjithë drejtimet nga vendasit dhe është fituar nga “azzurët” me rezultatin e pastër 3-0.

Kjo miqësore i ka shërbyer stafit teknik të kombëtares italiane për të testuar ekipin në prag të ndeshjeve eliminatore që do të zhvillohen muajin e ardhshëm në Turqi.

Dhe ajo që ka bërë përshtypje është se sërish porta i është besuar shqiptarit Marco Molla, i cili siç dihet pak muaj më parë vendosi të braktisë kombëtaren shqiptaere dhe t’i bashkohet asaj italiane.

Paraqitja e tij edhe në këtë ndeshje ka qenë shumë e mirë duke u treguar në lartësinë e duhur në ato raste që krijoi kundërshtari dhe jo më kot, porta e Italisë në këtë takim mbeti e paprekur. Molla është lënë në fushë për 90 minuta dhe kjo tregon edhe njëherë tjetër se stafi po e shton gjithnjë e më shumë besimin tek ky portier dhe me shumë siguri do t’ia besojë atij portën edhe në ndeshjet eliminatore.

Kjo padyshim që është një arritje shumë e madhe për lojtari me origjinë nga Shkodra, i cili është i datëlindjes 2002 dhe që tashmë luan me Akademinë e Bolonjës ku performanca e tij është shumë e mirë dhe jo më kot, është grumbulluar edhe në kombëtare.
Gjergj KOLA