www.shkodrasport.com
Italia e para që konfirmon pjesmarrjen në Memorialin “Vllaznia 2012”
Për Memorialin “Vllaznia 2012” që do të zhvillohet në datat 9-12 mars në Shkodër, ndonëse ende nuk janë gjetur fondet për zhvillimin e tij, kanë filluar të konfirmojnë pjesmarrjen edhe shtetet e para. I pari që e ka bërë këtë gjë është ekipi kombëtar italian i cili në kuadrin e përgatitjeve për Olimpiadën “Londra 2012”, e sheh aktivitetin e Shkodrës si një mundësi e mirë për sportistët e saj për të parë veten se ku janë me përgatitjet e tyre. Pikërisht, në një deklaratë të Federatës Italiane të Boksit Amator, bëhet e ditur se për Memorialin e Shkodrës, do vijnë për të marrë pjesë 4 boksierë, madje janë bërë të ditur edhe emrat dhe peshat e tyre. Kështu, do jenë boksieri Pikarin në peshën 51 kg, Parrinellon në peshën 56 kg, Valentino në peshën 60 kg dhe Mangiacapre në peshën 64 kg. Këta janë ndër boksierët më të mirë italianë dhe për këtë mjafton të përmendim faktin se boksieri i peshës 51 kg- Pikarin ka zënë vendin e tretë dhe ka marrë medalje bronzi në Lojërat e kaluara Olimpike- “Pekin 2008”. Italianët tashmë “janë në derë” dhe shkodranët duan apo s’duan, duhet të bëhen gati për Memorialin. Mungesa e fondeve, pritet të marrë një zgjidhje në ditët e ardhshme megjithatë Bashkia Shkodër vazhdon të heshtë në këtë drejtim. Kapiteni i ekipit të Vllaznisë Nelson Hysa pak ditë më parë theksoi se mund të marrin pjesë në edicionin e sivjetëm të këtij Memoriali rreth 20 shtete dhe pjesmarrës mund të jenë me shumë mundësi edhe 4 apo 5 kampiona bote. Një sukses i vërtetë për këtë aktivitet i cili është më i madhi që është zhvilluar ndonjëherë në vendin tonë.