Sistemi VAR pëson një ndryshim epokal në futbollin italian. Federata italiane ka marrë vendimin që duke nisur nga gjysmëfinalja e Kupës së Italisë mes Milanit dhe Interit, çdo ndërhyrje e arbitrave me sistemin VAR do të shpjegohet edhe për publikun e pranishëm në stadium.

Diçka që në fakt ka nisur të bëhet në disa kampionate të tjerë. Kjo është një fazë eksperimentale për futbollin italian. Në momentin që do të ketë një rishikim në sistemin VAR dhe arbitrat do të marrin vendimet pasi të shohin pamjet në monitor do të hapin mikrofonin në mënyrë që i gjithë publiku i pranishëm në stadium të kuptojë realisht vendimin dhe shpjegimin që do të japë arbitri kryesor.

“Jemi duke bërë zhvillime në të gjitha aspektet dhe jemi të hapur me tifozërinë në mënyrë që të mos ketë polemika dhe paqartësi.

Shpresoj që arbitrat të mos kushtëzohen aspak nga pamjet që do të shfaqen edhe për tifozët në stadium dhe të marrin vendimet e tjera. Është bërë në kupën Karabao në Angli dhe kjo shërben për hapjen e bashkëpunimit”, ka thënë kreu i shoqatës së arbitrimit.