Aventura e Luçiano Spaletit në stolin e Italisë nis me lajme të këqija, duke qenë se në stërvitjen e fundit, Federiko Kieza, ka pësuar një tërheqje muskulore, e cila pas analizave ka nënvizuar se futbollisti nuk mund të rikuperohet brenda 3-4 ditëve, kur është në program edhe dueli me Ukrainën, prandaj juventini do të rikthehet në Torino, për t’u ndjekur nga afër, nga mjekët e “Zonjës së Vjetër”.
Të njëjtin fat ka pasur edhe organizatori i Romës, Lorenco Pelegrini, një tjetër armë e fortë, edhe pse jo titullar si Kieza, nën urdhrat e Spaletit. Gjithsesi, adrenalina për këtë aventurë të re është aq e madhe, sa duket se nuk ka asgjë në botë që mund t’ia prishë humorin 64-vjeçarit.
Madje, ai e nis me batuta të fortë nga Shkupi, duke konfirmuar se është një karakter shumë i fortë dhe të paktën në letër zgjedhja e duhur për post-Mançinin.
“Është e sigurt se do të emocionohem më shumë se çdo herë tjetër kur të dëgjoj himnin. Por për mua është hera e parë në karrierë që do të punoj për një president, i cili më blen çdo futbollist që kërkoj dhe për më shumë më ka thënë se është gati që të më blejë edhe të tjerë, sa herë që të jemi të grumbulluar për ndeshjet tona…, – qesh vetë Spaletit, por edhe gazetarët e pranishëm nga disa vende të botës e shoqërojnë, pasi kuptojnë batutën. – I gjithë ky fakt se kam luksin e zgjedhjes më bën që të ndihem shumë i qetë, jo vetëm për këtë debutimin timin, por për të gjithë vazhdimësinë e kësaj aventure, e cila do të jetë pa dyshim shumë e bukur, por edhe mjaft e vështirë. Gjithsesi, ideja ime është që të fusim konceptin e klubit edhe në kombëtare, pasi këtu duhen njerëz që të jenë të përgatitur në çdo moment dhe të jenë të gatshëm në çdo sekond, pasi të gjithë do të jenë nën lupën time dhe të gjithë mund të jenë të nevojshëm në momente të ndryshme për Italinë”.
Për sa i përket sfidës me Maqedoninë e Veriut, e cila është skuadra e fundit që i ka shkaktuar një plagë të madhe Italisë, si lënia jashtë Botërorit të Katarit 2022, Luçiano Spaleti kërkon të largojë nga koka e lojtarëve të tij atë kujtim:
“Nesër (sot) duhet të ndihemi gjithçka, përveç se viktima. Nëse kërkon të arrish diçka të rëndësishme duhet të ecësh përpara në kërkim të objektivit të paracaktuar dhe jo të ndjekësh fantazmat e së kaluarës, apo ndjesinë e hakmarrjes, e cila mund të të çojë në vetëvrasje. Për këtë koncept kemi folur më së shumti gjatë të gjithë kësaj jave time të parë në Koverçano dhe për këtë arsye prej një reagim të fortë nga skuadra ime, këtu në Shkup.
Në një kombëtare, në një skuadër, ajo që duhet të mbizotërojë është gjithmonë shpresa dhe dëshira për të bërë rezultatin e duhur. Dhe fatmirësisht, unë futbollistët e fortë i kam me shumicë. Kam luksin e zgjedhjeve… E vetmja gjë që nuk duhet të gabojmë tani e në vazhdim është qasja e sfidës, mënyra e interpretimit të saj. Idetë e mia të lojës i njihni pak a shumë, gjithmonë në kërkim të golit dhe të fitores.
Sigurisht, do të ketë edhe momente në të cilat do të na duhet që të qëndrojmë me 9 apo 10 vetë pas linjës së topit, por ideja fikse në kokën e skuadrës sime është kërkimi i golit, dëshira për të shkuar drejt portës rivale dhe shpresoj dhe besoj se do ta shoh shpesh këtë ndaj Maqedonisë së Veriut”, përfundoi konferencën e tij të parë për shtyp, për një prag ndeshje eliminatore, Luçiano Spaleti.