Marko Molla dhe Ramen Çepele nuk janë të vetmit futbollistë shqiptarë që po veshin fanellën e përfaqësueseve të Italisë në këtë periudhë. Një tjetër djalosh shqiptar do të veshë fanellën e kaltër, pasi është ftuar nga U16 e Italisë për ndeshje miqësore ndaj Hungarisë.
Endri Muhameti, një mesfushor i talentuar nga akademia e Atalantës, është ftuar që të jetë pjesë e këtij grumbullimi me lojtarët e datëlindjes 2004.
Bëhet fjalë për një emër shumë të njohur edhe për FSHF-në, e cila monitoron me kujdes prej kohësh lojtarin, por për momentin nuk e ka bindur ende që të veshë fanellën kuqezi pavarësisht kontakteve të vazhdueshme.
Lojtari në fjalë, ndonëse në një moshë shumë të vogël, ishte parashikuar si një talent i madh që dy vite e gjysmë më parë nga Paolo Tramexani. Në një intervistë të dhënë për faqen e Xhanluka Di Marzio, Tramexani i cili kishte kohë që ishte shkëputur nga Shqipëria, ishte pyetur se kë këshillonte si talente të së ardhmes.
“Kristian Dervishi, datëlindja 2003 dhe Endri Muhameti, datëlindja 2004. I ka zbuluar Atalanta”, ishin fjalët e tij. Dervishi u bë pjesë e përfaqësueses shqiptare U17, ndërsa Muhameti për momentin ka zgjedhur që si fanellë të zgjedhë atë të kaltër dhe jo atë kuqezi. /vipsport/