Italia U17 ka arritur të fitojë ndaj Ekuadorit në ndeshjen e turit të dytë të Kampionatit Botëror dhe tashmë e sheh veten në çerekfinale, aty ku e pret Brazili vendas.

Mbrëmjen e sotme, kombëtarja italiane portën e së cilës e ka mbrojtur sërish shkodrani Marco Molla, ka fituar 1-0 ndaj Ekuadorit, në një ndeshje shumë të vështirë, por që në fund ia ka dalë me sukses.

Takimi ka patur shumë rivalitet dhe rastet nuk kanë munguar në të dy portat respektive. Në atë italiane, Molla ka treguar një formë shumë të mirë duke i neutralizuar ato. Ndërkohë në minutën e 76-të ka qenë futbollisti Oristanio që ka kaluar në avantazh ekipin italian

Më 11 nëntor, Italia dhe Brazili do të jenë përballë njëra- tjetrës në ndeshjen çerekfinale të Kampionatit Botëror të 17 vjeçarëve. Do të luhet në Brazil dhe padyshim që kjo favorizon vendasit, megjithatë, italianët dhe portieri shqiptar Molla do të mundohen të tregojnë vlerat e tyre dhe të synojnë fitoren e kalimin në gjysmëfinale të këtij kompeticioni të rëndësishëm botëror.

Shkodrani Marvo Molla po i jep ndihmën e duhur kombëtares italiane edhe në këtë Botëror, ashtu siç bëri edhe në Europian pak muaj më parë dhe padyshim që vlera e kartonit të tij tashmë rritet gjithnjë e më shumë. Duket se Bolonja që e ka atë në pronësi, do të gëzohet më shumë se kushdo tjetër për këtë gjë sepse me siguri që e ardhmja e tij është e ndritur.

Por me suksesin e këtij portieri gëzohen edhe të gjithë shqiptarët sepse tashmë kanë një përfaqësues të tyre në këtë eveniment shumë të rëndësishëm, paçka se ai po përfaqëson Italinë.
© shkodrasport.com