
Vlerësimet që ka marrë për golin e shënuar në Ballsh ndaj Bylisit kanë qenë të shumta për mesfushorin malazez të Vllaznisë Ivan Deliç. Jo vetëm për rëndësinë e tij por më tepër për mënyrën e ekzekutimit. Vetë lojtari, në konferencën e sotme për shtyp e ka cilësuar këtë gol si më të veçantin e karrierës së deritanishme të tij. Njëkohësisht ka folur edhe për formën duke thënë se ishte thjesht çështje kohe ardhja në formën më të mirë. ““Unë gjatë karrierës sime si me Buduccnostin ashtu edhe me ekipet e tjera ku kam luajtur, kam shënuar edhe gola të tjerë të bukur por ky ndaj Bylisit mendoj se ishte më i veçanti. Përvecc bukurisë së tij, ishte i rëndësishëm sepse na dha fitoren dhe kjo ia rrit edhe më tepër vlerat”- ka thënë ai. Ndërkohë, i pyetur për dy ndeshjet e ardhshme, atë me Ilirinë për kupë dhe atë me Laçin për kampionat në fundjavë, Deliç ka deklaruar se Vllaznia i merr ndeshjet një e nga një duke e vlerësuar maksimalisht secilën prej tyre. “Vllaznia nuk e ka luksin të nënvlerësojë asnjë kundërshtar. Fillimisht kemi përballjen me Ilirinë për kupë, një skuadër kjo që vjen nga kategoria e parë megjithatë nuk duhet nënvleftësuar dhe duhet mundur ndërsa në fundjavë me Laçin sigurisht që nuk duhet të llogarisim rezultat tjetër veç fitores”- ka thënë Deliç.
Ardhja në formën e tij më të mirë sigurisht që është diçka shumë pozitive për Vllazninë dhe Ivan Deliç çdo ditë e më tepër pritet të shndërrohet në një lider të vërtetë të kësaj skuadre për vlerat që ai mbart.
www.shkodrasport.com