Skuadra e Elbasanit është duke vijuar me përgatitjet në kuadër të ndeshjes me Vllazninë, që luhet nesër në Shkodër. Seancën e djeshme stërvitore trajneri Gvozdenoviç e ka nisur me një analizë, që zgjati afro 45 minuta, ku u diskutua në teori rreth kundërshtarit dhe u evidentuan pikat e tij të dobëta dhe të forta.

Më pas skuadra zbriti në fushë për të zhvilluar seancën e radhës. Ra në sy puna e veçantë që po bëhet me lojtarët e fazës ofensive, për mënyrën si duhet shkuar te goli.

Gvozdenoviç i ka mëshuar shumë këtij fakti në stërvitje, sepse e sheh si pikën e dobët të skuadrës, që ka lënë shumë pikë rrugës për shkak të problematikës në finalizim. Mungesa e sulmuesit Arsen Lleshi, i cili u dëmtua në ndeshjen me Dinamon, po rezulton një humbje e madhe. Ai ishte sulmuesi më në formë i elbasanasve.

Fakt është se që nga momenti i mungesës së këtij sulmuesi, Elbasani nuk ka arritur të fitojë për disa ndeshje me radhë. Golat tani priten nga sulmuesit e tjerë.