Në planet e Vllaznisë si përforcim për sulmin nuk është më as Kastriot Rexha, as Migen Memelli dhe as Andi Ribaj. Merkatoja kuqeblu për sulmin është spostuar në Mal të Zi. Drejtuesit shkodranë janë duke ndjekur me interes sulmuesin Ivan Knezeviç. Ai është pjesë e ekipit Mlladost të Podgoricës që ka luajtur mbrëmë ndeshjen e kthimit të turit të tretë të Europa League ndaj spanjollëve të Seviljes. Për këtë arsye, dy drejtuesit e lartë të Vllaznisë, drejtori sportiv Armir Grima dhe trajneri Agim Canaj pasditen e djeshme kanë udhëtuar drejt Podgoricës për ta parë në fushën e lojës këtë sulmues. Por jo vetëm atë. Në axhendën e kësaj dyshjeve mund të jetë edhe ndonjë lojtar tjetër I Mlladost. Padyshim edhe portieri I tij, Miroslav Vujadinoviç. Sigurisht që ai nuk ka nevojë të shihet sepse vlerat e tij tashmë I njohin jo vetëm në Shkodër por në gjithë Shqipërinë pasi në tre vitet që është aktivizuar me Vllazninë, ka qenë një nga portierët më të mirë të kampionatit tonë. Nëse me të bisedimet kanë avancuar dhe tashmë kanë mbetur vetëm disa detaje të vogla financiare, krejt ndryshe qëndron puna me Knezeviç. Pavarësisht paraqitjes së mirë në Europa League, ai duhet të bindë edhe trajnerin Canaj për vlerat e tij sepse Vllaznia ka nevojë për një goleador të vërtetë.
Ivan Knezeviç
Në ndeshjet europiane të këtij edicioni, ka qenë ndër  futbollistët lider të Mlladost. Një skuadër që ka bërë surprizën e madhe, ashtu si dhe Kukësi ynë duke shkuar deri në turin e tretë të Europa League. Pa emra të mëdhenj (lojtari më I rëndësishëm është Vujadinoviç që ka shkuar vetëm për këto ndeshje me këtë ekip), ky ekip ka mbërritur deri në turin e tretë ku e ka patur të vështirë të kalojë Seviljen. Ivan Knezeviç ka shënuar dy gola për Mlladost në këtë aventurë duke qenë një nga udhëheqësit e kësaj skuadre në këtë triumf. Ai që ka hyrë “garant” për këtë futbollist dhe vlerat e tij duket se ka qenë portieri Vujadinoviç. Ua ka sugjeruar duke thënë se nuk do zhgënjehen aspak nga vlerat e tij. Për ta vërtetuar këtë gjë, Grima dhe Canaj mbrëmë kanë qenë në Podgoricë për ta parë me sytë e tyre në fushë këtë futbollist. Në fakt, nga sa merret vesh, Knezeviç ka patur ditët e fundit edhe një ofertë shumë të mirë nga një skuadër në Azerbajxhan megjithatë ai për disa arsye familjare nuk ka patur dëshirë të shkojë shumë larg familjes së tij. Për t’iu gjendur pranë asaj, luajtja në Shkodër nuk do ishte ndonjë problem për shkak të afërsisë me Podgoricën. Sot me siguri, edhe pas eliminimit të Mlladost nga ky kompeticion, do të ketë diçka më tepër për të folur rreth mundësisë së veshjes kuqeblu të këtij futbollistti.
Të tjerët
Udhëtimi I Grimës dhe Canajt drejt Podgoricës pasditen e djeshme me shumë siguri nuk do të ketë patur në axhendë vetëm ndjekjen e ndeshjes Mlladost- Sevilja. Dy ditët e fundit në Shkodër po flitet edhe për një mundësi rikthimi të mbrojtësit Blazhe Rajoviç sërish tek Vllaznia. Ai është një njohje e vjetër për këtë skuadër sepse ka luajtur dy sezone në rradhët e tij dhe ka lënë një përshtypje shumë të mirë. Pas shpërbërjes së Flamurtarit, tashmë edhe ky mbrojtës është futbollist I lirë. Kuqeblutë nuk do t’I thoshin “jo” asnjëherë këtij futbollisti megjithatë çdo gjë tashmë varet tek financat e klubit shkodran. Nëse gjenden ato, ky do ishte një përforcim shumë I rëndësishëm. Por në ndeshjen e djeshme të Mlladost, nuk përjashtohet mundësia që trajneri Canaj të ketë “pikasur” edhe ndonjë futbollist tjetër. Ndoshta mesfushor sepse edhe në këtë repart Vllaznia ka nevojë për një lojtar cilësor. Kthimi I dyshes drejtuese të kuqebluve nga Podgorica, do të zbardhë shumë gjëra sa I takon merkatos së kësaj skuadre.
Gjergj KOLA