Skuadra e Veleçikut të Koplikut është duke bërë një paraqitje shumë të mirë në kampionatin e sivjetëm të kategorisë së dytë dhe konsiderohet një nga pretendentet për t’u ngjitur një kategori më lart.
Një nga futbollistët më me përvojë dhe më të rëndësishëm të kësaj është padyshim mesfushori Izmir Pelinku.
Tek kjo skuadër mbase mbeti rastësisht sepse pasi erdhi nga Greqi, nisi stërvitjen me Vllazninë B që merr pjesë në kategorinë e parë dhe pikërisht në ditën e fundit të federimeve, u konstatua një problem dokumentacioni.
Kjo e bëri të pamundur aktivizimin me ekipin shkodran.
Në rrethana të tilla, e vetmja zgjidhje për të luajtur ishte aktivizimi në kategorinë e dytë dhe mundësia e parë që çoi ndër mend ishte Veleçiku.
Nisi të luante me të me idenë për të qenë pjesë e tij deri në dhjetor por tashmë jemi në shkurt dhe Pelinku pavarësisht ofertave që ka patur, ka vendosur të vazhdojë të luajë në Koplik.
Arsyen pse veproi kështu, e ka bërë të ditur vetë ai në një prononcim për “Shkodra Sport” kur shprehet:
“Vërtetë kisha mundësi të lëvizja në ekipe të tjera por ndjehem shumë mirë tek Veleçiku. Këtu është krijuar një kolektiv i mrekullueshëm dhe për më tepër, kemi një objektiv për të arritur dhe nuk kisha si të largohesha pa e arritur atë.
Duam të ngjitemi në kategorinë e parë dhe në fakt, unë kam pak shans në këtë drejtim. Kam qenë pjesë e Tërbunit kur ai u shpall kampion në kategorinë e parë dhe fitoi të drejtën të ngjitej në Superligë.
Kam qenë pjesë e Korabit kur u shpall edhe ai kampion i kategorisë së parë dhe u ngjit në Superligë.
Kjo do të thotë se jam njëfarë shansi për ekipet ku luaj, prandaj kisha dëshirë të qëndroja deri në fund të sezonit tek Veleçiku për ta ngjitur edhe atë një kategori më lart”.
Kjo në fakt është mëse e arritshme. Aktualisht koplikasit ndodhen në vendin e dytë në grup, vetëm tre pikë larg Vorës që mban vendin e parë.
Por Pelinku është i bindur se ekipi i tij do të zërë vendin e parë, për të siguruar kësisoj daljen direkt një kategori më lart.
“Mundësitë i kemi. Kalendarin e fazës së dytë e kemi të favorshëm sepse edhe Vorën, skuadrën e vendit të parë, e presim në fushën tonë.
Do kërkojmë të mbyllim gjithçka duke zënë vendin e parë në mënyrë që të shmangim vendin e dytë dhe daljen në play-off. Besoj se do ia dalim. Mundësitë si skuadër i kemi.
Po ashtu kemi edhe një mbështetje të madhe nga Bashkia ashtu si dhe nga ish- presidenti Shpëtim Halaj i cili ka krijuar një ekip të mirëorganizuaar në të gjitha repartet”- shton më tej 24 vjeçari shkodran.
I dalë nga Akademia Vllaznia, ka provuar të luajë edhe me Adën e Velipojës, Besën e Kavajës, Tërbunin e Korabin, para se të kalonte në Greqi tek ekipi i Trikallës ku ishte i pafat.
Një dëmtim i pësuar atje, e la për një kohë të gjatë jashtë fushës së blertë dhe kjo ishte arsyeja që u rikthye në Shkodër.
Por tek Veleçiku ka gjetur veten dhe pasi ta ndihmojë atë të ngjitet një kategori më lart, me siguri që sezonin tjetër do ta shohim duke luajtur në një skuadër edhe më të fortë sepse aftësitë i ka.
© shkodrasport.com