
-Ke rreth një muaj që je shpallur kampion Evrope në Beograd. Mund të na tregosh disa detaje mbi jetën tënde këtë periudhë?
-Ka qenë një periudhë shumë intensive për mua. Kam takuar përfaqësues institucionesh, dashamirës, të njohur. Nga ana tjetër, këto kohë më në fund jam pak pushim dhe kam filluar të shijoj dhe pak rininë time (qesh). Vetëm një javë më parë, mbusha 24 vjeç dhe ka qenë një ditëlindje që ka zgjatur disa ditë, me shumë surpriza nga shoqëria ime, të cilët gjej rastin dhe t’i falenderoj. Përsa i përket sportit, më shumë kam qenë në fazë rehabilitimi. Jam takuar me figura të shumta të sportit, të cilët më kanë shprehur vlerësimet dhe mbështetje në projektet e mia, por deri tani mbështetja ka qenë vetëm morale.
-Çfarë nënkupton me këtë?
-Që të gjithë të duan kur shpallesh kampion Evrope, duan të jenë pjesë e suksesit tënd, por nga ana tjetër që të arrish këtë duhen shumë gjëra. Stërvitje, gjak dhe djersë dhe lekë. Të ofrojnë mbështetje, të thonë fjalën e mirë por nuk japin kokërr leku. Në këto kushte është shumë e vështirë të vazhdosh përpara për objektiva madhorë.
-Cilat janë objektivat e tua për të ardhmen?
-Si çdo sportist që ka ambicie, s’kam ndërmend të ndalem me titullin e sapo fituar. Unë shumë shpejt filloj përgatitjet për Kampionatin Botëror që do të zhvillohet në Angli në gusht, ku synoj të shpallem kampion bote. Plan afatgjatë është përgatitja për Lojërat Olimpike të ardhshme.
-Izmir je fitues i shumë medaljeve dhe me një karrierë shumë të pasur sportive. Një model frymëzimi dhe për brezat e rinj. Cili është sekreti yt?

-Ke pasur oferta për të garuar për një tjetër flamur?
-Kam pasur disa oferta nga shtete të ndryshme, sidomos nga Kroacia, të cilët po tregohen goxha këmbëngulës. Por ende s’kam vendosur. Ende kam besim se ka njerëz që e duan sportin dhe do më plotësojnë kushtet që duhen për të arritur objektivat që kam. Do pres dhe disa kohë, nëse nuk më realizohen ato gjëra që kam kërkuar, do jem i detyruar të largohem. Nuk mund të rrezikoj objektivat dhe karrierën time, kam investuar shumë për këto gjëra. Kjo është hera e parë që unë shprehem publikisht për këtë gjë, pasi po shoh një indiferencë të madhe. Shpresoj që të mos arrij në pikën që të largohem, por t’i sjell këtij vendi medalje botërore dhe olimpike.
-Çfarë vlere ka pasur titulli kampion Evrope?
-Për mua ka pasur një vlerë shumë të madhe në shumë drejtime, por dy kryesoret: E para është një arritje personale dhe një medalje shumë e vlefshme në karrierën time, por nga ana tjetër ka pasur dhe një vlerë të jashtëzakonshme emocionale. Unë u shpalla kampion Evrope në Beograd dhe për mua si shqiptar kjo ishte dhe një nxjerrje kunje, duke pasur parasysh përplasjet që kemi pasur me ta në sport. Ishte një plotësim goxha i madh shpirtëror për mua të ngrija lart flamurin shqiptar mes Beogradit. Ishte një fitore e shumëfishtë, e cila më dha shumë vetëbesim dhe vullnet për të vazhduar rrugën që kam nisur. Shpresoj që në gusht të kthehem në Shqipëri si Kampion Bote.