Kampioni i Europës në atletikë Izmir Smajlaj prej pak muajsh ka “braktisur” Vllazninë dhe tashmë përfaqëson Tiranën në të gjitha garat kombëtare. Një zgjedhje e kushtëzuar për arsye të vendbanimit të tij të ri, kushteve më të mira të stërvitjes apo dhe mbështetje më të madhe financiare.

Megjithatë duket se mendja e tij është sërish në Shkodër. Mjafton të shohësh videon e mëposhtme dhe do ta kuptosh qartë këtë gjë. Në një urim që Izmiri ka bërë për festat e fundvitit, ka uruar atletikën shkodrane, për një vit sa më të mbarë dhe jo vetëm kaq.

I ka uruar atletëve të saj suksese dhe rekorde të reja dhe madje edhe titullin kampion si ekip. “Dua t’i uroj atletikës shkodrane Gëzuar festat, një vit sa më të mbarë për ju dhe sa më shumë suksese. Njëkohësisht sa më shumë rekorde dhe sërish kampion”- ka uruar Smajlaj.

Diçka vërtetë interesante sepse vetë përfaqëson Tiranën por i ka uruar suksese dhe titullin kampion ekipit të qytetit të tij- Vllaznisë. Titull ky që do të ishte i 11-ti rradhazi në këto vitet e fundit.
© shkodrasport.com