Izmir Smajlaj, kampion Europe në kërcim, ishte i ftuar në ABC News. Në studio me Endri Xhafën, atleti shqiptar preku shumë tema rreth karrierës së tij dhe situatës në KOKSH: “Ballkaniada është gjë e vogël, pasi kur je kampion europe, të duken gjërat tjera më të vogla. Tani, në Ballkaniadë, janë futur dhe shtete tjera dhe është bërë më kompetitive, por unë dhe Luiza (Gega), gjithmonë ia dalim.

Ministria nuk e ka futur në ligj që të shpërblehemi dhe mendoj se është gjë e gabuar. Konkurrojmë kundër 23 shteteve të Europës dhe kur vjen puna, nuk marrim asnjë lek.

Unë nuk kam nevojë të shkoj në Kenia, më duhen ultësira. Jam stërvitur në Elbasan, në Shkodër, te Liqeni në Tiranë. Në Shqipëri është e vështirë të merresh me sport, pasi duan gjithmonë medalje. Nuk e kuptojnë sa e vështirë është të marrësh medalje.

S’mund të them se jam i privilegjuar se kam trajner Gjergji Rulin. Atë që i takon çdo sportisti, ma jep edhe mua. Neve na ka penalizuar situata në KOKSH, jemi para Lojërave Olimpike dhe duhet të jemi të qetë nga ana psikologjike. Por dhe në KOKSH, ka filluar të dalë tym i bardhë.

Kështu ranë dakord dje, që të na shtonin një fond shtesë mua dhe Luizës për të kryer stërvitje. Unë kam si plan ose të iki në Amerikë, ose në Spanjë, së bashku me trajnerin tim./abcnews/