Atletika shqiptare kërkon zonën e medaljeve në Kampionatin Ballkanik të sallave të mbyllura që do të mbahet më 16 shkurt në Stamboll të Turqisë.

Ekipi kombëtar shqiptar përbëhet nga shtatë sportist, ku spikasin Izmir Smajlaj dhe Luiza Gega. Shkodrani po kalon një formë mjaft të mirë ndërsa testet që ka zhvilluar këtë fundjavë e mbushin me optimizëm për garën që ka objektiv të marrë medaljen e artë në kërcim së gjati.

Këtë kompeticion atleti shqiptar e konsideron si një test tepër të rëndësishëm për kampionatin Europian të sallave të mbyllura, i cili organizohet nga data 1 deri më 6 mars në Glausgou të Skocisë.

Një pjesë të mirë të fazës përgatitore sportisti elitar e realizoi në Romë, pasi Tirana është i vetmi qytet që nuk ka një pistë me kushtet e duhura për profesionistët e atletikës.

Atletët e tjerë që do të përfaqësojnë ekipin kombëtar janë: Franko Burraj, David Nikolli, Eraldo Qerama, Gledi Sallunaj dhe Muhamed Çengeli. Në bazë të rezultateve që do të arrihen në këtë ballkaniadë do të përcaktohet edhe ekipi kuqezi që do të shkojë në Europian.