Izmir Smajlaj mban premtimin. Zë vendin e parë dhe shpallet Kampion i Ballkanit duke bërë që flamuri shqiptar të valëvitej sot në mes të Beogradit. Kampionati Ballkanik i sallave të mbyllura në atletikë që po zhvillohet aktualisht në Beograd të Serbisë ka dhuruar një medalje të artë për atletikën shqiptare. Shkodrani Izmir Smajlaj ka zënë vendin e parë në kërcim së gjati, duke vendosur njëkohësisht edhe rekord kombëtar. Në kërcimin e gjashtë dhe të fundit, Smajlaj dha rezultatin 7.98 metra, që është rekordi i ri kombëtar në këtë disiplinë. Një paraqitje fantastike e atletit shkodran dhe trajnerit të tij Vildan Tufi, që vetëm pak ditë më parë patën premtuar një triumf të tillë dhe ia dolën mbanë. Gara e Zmajlaj ka qenë mjaft e mirë, duke e përmirësuar paraqitjen e tij nga kërcimi në kërcim (7.77, 7.64, x, 7.80, 7.79, 7.98 rezultatet e tij). Smajlaj ka lënë në vend të dytë atletin rumun Ioneut Andrei Neagoe që kërceu 7.82 m ndërsa në vend të tretë u rendit greku Anastasios Galazoulas me 7.53 m.