Dita e sotme do të jetë e veçantë për atletin shkodran Izmir Smajlaj sepse ai feston 27 vjetorin e lindjes. Një përvjetor që nuk vjen në një kohë të mirë por vjen në një vit që ka nisur mbarë nga ana sportive dhe që ai shpreson ta vijojë sa më parë me të tjera suksese.

Shkodra në fakt është shquar për emra të mëdhenj sportistësh në përgjithësi dhe atletësh në veçanti, por kulmi i
këtyre suksese natyrisht që është tek Izmir Smajlaj. Ai është sportisti që ka sjellë rezultatin më të lartë deri më
tani në vendin tonë, pikërisht titullin Kampion Europe.

Me sportin e atletikës është dashuruar që në moshën 9 vjeçare kur nis punën me trajnerin e mirënjohur Vildan Tufi dhe
progresi i tij është i jashtëzakonshëm nga viti në vit.

Në vitin 2011, arrin të shpallet kampion i Shqipërisë në garën e kërcimit trehapësh teksa kërcen 14.60 metra e po ashtu kampion edhe në stafetën 4 x100 metra bashkë më Elsid Dizdari, Mario Shestani dhe Ardenis Ibrahimi.

Smajlaj është kampion edhe një vit më vonë sërish kampion dhe madje do të vendoste edhe rekord të ri kombëtar në garën e kërcimit trehapësh, rekord ky që thyhej pas plot 24 vitesh.

Ndërkohë më 8 maj 2014 në aktivitetin “Dita e kërcimeve” të zhvilluar në Shkodër, Smajlaj arrin të kërcejë 7.75 metra duke barazuar rekordin që mbahej nga shkodrani tjetër Admir Bregu, por sipas rregullores së Federatës konsiderohej rekordi i ri. Por më 25 maj të po atij viti, në garat e zhvilluara në Elbasan për nderimin e figurave, Izmiri do të kërcente 7.78 metra duke vendosur përfundimisht rekord të ri tashmë me emrin e tij.

Nis të marrë pjesë edhe në garat e rëndësishme ndërkombëtare dhe në vitin 2016 do të marrë pjesë në Kampionatin Europian që u zhvillua në Amsterdam të Holladës ku arrin të kërcejë 7.75 metra dhe renditet i 9-ti në kontinet. Po këtë vit, merr pjesë edhe në Lojërat Olimpike të zhvilluara në Rio de Zhaneiro të Brazilit ku kërcen 7.72 metra dhe renditet i 21-ti. Ndërkohë më 21 maj 2016 do të vendoste në garat e zhvilluara në Elbasan një rekord të ri kombëtar teksa kërcen 8.03 metra.

Po gjatë vitit 2016 do të vendoste rekord të ri kombëtar edhe në garën e kërcimit trehapësh. Më 7 qershor, në garat e kampionatit kombëtar të zhvilluara në Elbasan, ai kërceu 16.30 metra dhe vendosi rekord të ri duke thyer rekordin e mëparshëm me 16.09 që ishte vendosur 30 vjet më parë në një garë që ishte zhvilluar atëherë në Shkodër.

Viti 2017 është më i suksesshmi deri më tani në karrierën e tij sportive. Më 25 shkurt të atij viti, ai do të shpallej fillimisht kampion Ballkani për salla të mbyllura në garat e zhvilluara më 25 shkurt në Beograd të Serbisë teksa arrin të kërcejë 7.98 metra. Pak ditë më vonë, po në Beograd, më 4 mars 2017 arrin të shpallet edhe Kampion Europe. Ai ka arritur të kërcejë 8.08 metra dhe përveçse vendos rekord të ri kombëtar, arrin edhe të marrë medaljen e artë dhe të shpallet Kampion Europe! Një sukses i jashtëzakonshëm i këtij sportisti por edhe i trajnerit Vildan Tufi.

Në vitin 2018 shpallet kampion Ballkani për sallat e mbyllura në garat e zhvilluara më 17 shkurt në Stamboll teksa
arrin të kërcejë 7.80 metra. Ndërsa në Lojërat Mesdhetare që u zhvlluan në Tarragona të Spanjës kërceu 7.85 metra duke u renditur i katërti.

Në vitin 2019 arrin të shpallet nënkampion Ballkani në garat e sallave të mbyllura të zhvilluara më 16 shkurt në
Stamboll të Turqisë duke kërcyer 7.72 metra. Ndërkohë në garën e zhvilluar në pistën e stadiumit “Loro Boriçi” më 22 qershor, vendos një rekord të ri në kërcim së gjati teksa kërcen 8.11 metra.

Ndërkohë edhe viti 2020 ka nisur në mënyrë të shkëlqyer për të. Pas medaljes së artë në Mitingun e Bratislavës me 7.90 metra, ai ka arritur të njëjtin sukses edhe në garat e Kampionatit Ballkanik të sallave të mbyllura që u zhvilluan më 15 shkurt në Stamboll të Turqisë ku zuri vendin e parë duke kërcyer 7.91 metra. Një ditë më pas, po në Mitingun Ndërkombëtar të Stambollit kërceu 7.94 dhe mori medaljen e artë ndërsa më 27 shkurt mori medalje të artë edhe në mitingun e Beogradit ku kërceu sërish 7.94 metra.

Kjo është karriera e deritanishme e 27 vjeçarit Smajlaj që me shumë siguri ka ende shumë për të dhënë me të tjerë tituj kampionë, rekorde e medalje ndërkombëtare. Gazeta “Shkodra Sport” i uron atij edhe 100 vite të tjera të lumtura dhe një karrierë sa më të suksesshme!
© shkodrasport.com