Rekordmeni i atletikës shqiptare, Izmir Smajlaj, bën apel për mbështetje nga shteti. I “dënuar” për t’u stërvitur jashtë Shqipërisë për shkak të mungesës së infrastrukturës në vend, shtatlarti shkodran shprehet se ky sport ka kosto të lartë financiare, një pjesë të së cilës e mbulon familjarisht. Është pikërisht kjo arsyeja që ai kërkon një vend pune për të ulur sadopak shpenzimet e fazës përgatitore. “Nuk ka shumë që kam ardhur nga një fazë përgatitore intensive trijavore nga Stambolli. Përgatitja shkoi shumë mirë nën asistencën e një trajneri ukrainas. Bëra këtë zgjedhje sepse në Shqipëri nuk ekziston një sallë e mbyllur për stërvitje. Nëse këto kushte do t’i kishim në Shqipëri, nuk kishim për t’u larguar kurrë. Por këtu ka një pasiguri të madhe, ndaj vendosim të zhvillojmë stërvitjen në një vend tjetër. Nga shteti kam pasur mbështetjen e federatës dhe Komitetit Olimpik, por kërkoj një vend pune sepse është e domosdoshme. Sporti ka shpenzime të mëdha dhe thuajse çdo gjë e mbuloj falë familjes sime. Në Shqipëri, po të mos kesh të ardhura të mjaftueshme, është shumë e vështirë të bësh sport sepse shteti të garanton pak”, tregon fillimisht per “Panorama Sport”, atleti i kombëtares shqiptare, pjesëmarrës në Lojërat Olimpike të Rios në gushtin e 2016-ës. Ndërsa sezoni sapo ka nisur, Smajlaj shprehet optimist për të bërë histori në “Mbretëreshën e Sporteve”. Ai i ka vënë vetes si objektiva veç rekordeve, edhe triumfe në arenën ndërkombëtare. “Këtë vit premtoj shumë se do të vendos të tjera rekorde. E them me siguri pasi jam në një gjendje fizike shumë të mirë. Sinqerisht gëzoj një formë të jashtëzakonshme dhe besoj se do të kap distancën 8.30 metra. Së bashku me trajnerin tim Vildan Tufi besoj se do të shkojmë shumë larg këtë vit me rezultate”, theksoi Smajlaj, ndërsa ka firmosur sërish kontratën me skuadrën e vendlindjes së tij, Vllazninë. Në muajin mars Smajlaj do të konkurrojë në kampionatin europian në Beograd dhe vë bast se atë ditë do të flitet shqip. “Gjithashtu objektivat e mia sezonale janë kampion i Ballkanit, sikurse kam ëndërr që të ngre flamurin shqiptar në Beograd në kampionatin europian që do të zhvillohet më 5 mars. Përse jo, pretendoj të ngjitem në podium edhe në kampionatin e ardhshëm botëror. I them këto për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme që po kaloj për momentin”, e mbylli deklaratën e tij 24-vjeçari, një vlerë e atletikës kuqezi.