Në median e shkruar sot është raportuar për një kalim të atletit shkodran Izmir Smajlaj nga Vllaznia tek ekipi i Studentit. Sipas asaj çfarë shkruhej në një të përditshme sportive, kampioni dhe rekordmeni i garave të kërcimit së gjati dhe trehapësh, kishte vendosur të braktiste klubin e qytetit të tij për të kaluar në kryeqytet, aty ku i kanë ofruar pagesa më të mira dhe kushte më të mira stërvitje. Madje për këtë, kishte një prononcim edhe të drejtorit të klubit Studenti Blendi Nallbani. Por sigurisht që një lajm i tillë ka çuditur jo pak të gjithë njerëzit që qëndrojnë rreth tij. I pari, trajneri Vildan Tufi është habitur nga një lajm i tillë sepse sipas tij, nuk ka asgjë të vërtetë në këtë mes ngaqë Smajlaj ka shkuar në Tiranë vetëm për stërvitje. Po ashtu, edhe drejtori i Sportklub Vllaznia Mark Kroqi, ka konfirmuar faktin se ky sportist nuk ka tërhequr lejen e kalimit në klub, siç raportohej në të përditshme sportive. Në këtë mënyrë, ndoshta në mënyrë të panevojshme është krijuar jo pak amulli në këtë drejtim sepse natyrisht që nuk është aspak një lajm i mirë nëse një sportist i tillë si Izmir Smajlaj, pjesmarrës së fundi edhe në Lojërat Olimpike, do të largohej nga Shkodra. Burime pranë tij, bëjnë me dije  se rekormeni pritet të nisë punë në Tiranë dhe për këtë arsye, do t’i duhet të qëndrojë më gjatë atje dhe madje edhe pjesën kryesore të stërvitjes do ta zhvillojë në kryeqytet. Por për momentin, nuk ka asnjë lajm për largimin e tij nga klubi Vllaznia. Drejtuesit e këtij të fundit janë munduar të bëjnë maksimumin e tyre për t’i plotësuar kushtet e duhura me bazë materiale dhe po ashtu edhe me shpërblimin financiar duke qenë sportisti i dytë më i paguar në klub pas Erkand Qerimajt. E vetmja gjë që mbetet problem është gjetja e ndonjë sponsori. megjithatë, ee rëndësishme është që Izmir Smajlaj do të vazhdojë të jetë pjesë e Vllaznisë edhe në të ardhmen.

© shkodrasport.com